Vetëm pak vite më parë, në godinën e mbuluar sot nga barishtet e këqija dhe plehrat, hynin studentë.

Për 7 vjet ishte dega e Universitetit të Tiranës në qytetin e Kukësit. Që kur u mbyll 4 vite më parë, e kanë pushtuar ferrat dhe grafitet. Qindra studentë kanë përfunduar arsimin e lartë në Infermieri, Gjuhë e Huaj dhe Administrim-Biznes në këtë godinë.

“Kukësi ka pasur më shumë gjallëri me universitetin. Kemi bërë një herë pastrim pasi na ka ardhur keq në çfarë gjendje ka përfunduar”, thotë një ish-student.

Banorët e qytetit të Kukësit, por edhe Hasit, Tropojës dhe Pukës, të cilët studionin në këtë institucion, e kanë kërkuar vazhdimisht rihapjen e tij, por pa sukses.

Në Kukës vazhdojnë ta kërkojnë filialin sepse u kushton më pak familjeve që fëmijët e tyre të studiojnë pranë shtëpisë, por deri tani asnjë përpjekje nuk është bërë për të rimbushur auditoret e një godine që po degradohet dita-ditës.

Top Channel