Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji deklaroi se “ngjarjet e rënda të ndodhura ditët e fundit në Shkodër dëshmojnë se krimi dhe bandat e lidhura me qeverinë janë më të forta se ligji”.

“Vetëm kur bandat e lidhura me qeverinë sundojnë një qytet, ndodh që të kemi disa vrasje të njëpasnjëshme, gjobëvënie, shkatërrim prone, atentate dhe rrëmbime personash, pa autor. Vetëm kur bandat janë të lidhura me qeverinë, policia e shtetit fsheh ngjarjet kriminale, si rrëmbimi mafioz i dy shtetasve Agron Molla dhe Gëzim Hysaj, të dy thuajse në të njëjtin orar. Familjarët kanë denoncuar në polici për rrëmbimin e këtyre personave, por policia e ka fshehur ngjarjen, sipas informacioneve nga Shkodra edhe kjo ngjarje lidhet me bandat që mbështesin dhe mbledhin vota për Edi Ramën në Shkodër”, deklaroi Salianji.

“Banda e lidhur me qeverinë dhe me Edi Ramën, që njihen në Shkodër si banda e Bajrajve, ka totalisht nën kontroll qytetin e Shkodrës, duke krijuar të njëjtën situatë të rëndë kriminale si në Durrës, Elbasan, Fier dhe Vlorë, ku krimi bën ligjin dhe vendos për jetën e qytetarëve. Qeveria që mburret dhe e shet në televizion kapjen e një hajduti, hesht para ekzekutimeve mafioze, si ai i ish-policit me gruan e tij, apo krimeve të tjera të rënda, si vrasja e Mehdi Kavajës, e Fatbardh Licit, apo zhdukja pa lënë gjurmë e dajës dhe nipit të tij prej 6 ditësh. Të gjitha këto, krime të ndodhura javët e fundit, dhe situata sa vjen e rëndohet, ndërkohë që banda e qeverisë kapardiset edhe ekraneve, duke dhënë intervista”, shton deputeti demokrat.

Top Channel