Sulmi ndaj gazetares, reagon OSBE: Shenjë shumë negative për lirinë e shoqërisë

30/08/2018 16:28

Jehona e sulmit me armë në shtëpinë e gazetares investigative Klodiana Lala ka mbërritur deri në Vjenë, në zyrat e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).

Kjo e fundit ka reaguar, duke dënuar ashpër sulmin ndaj banesës së gazetares, ndërsa ka kërkuar nga autoritetet që të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës.

“Dënojmë me forcë sulmin e sotëm kundër gazetares Klodiana Lala dhe i nxitim autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë”, thuhet në prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

Banesa e prindërve të gazetares, ku jetonin edhe dy fëmijët e saj, është qëlluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, me një breshëri kallashnikovi.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur viktima, ndërsa sot njerëz të shumtë të politikës dhe medias, kanë dënuar aktin mafioz ndaj banesës së gazetares.

Top Channel