Luka Modric mposht Cristiano Ronaldon në garën për lojtarin më të mirë të UEFA-s për vitin 2018.
Mesfushori i Los Blancos fitoi garën treshe me Salah dhe Ronaldon duke i hequr mundësinë yllit portugez për të fituar këtë çmim prestigjioz për herë të 4-t në karrierë.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të UEFA-s në Montecarlo me rastin e hedhjes së shortit të edicionit 2018-2019 të UEFA Champions League nisi me nderimin e legjendës angleze David Beckham i cili fitoi çmimin e karrierës. Portieri më i mirë u zgjodh Keylor Navas i Realit të Madridit, i cili fitoi betejën me Buffon dhe Allison.
Mbrojtësi më i mirë me meritë u zgjodh kapiteni i Realit, Sergio Ramos, çmimi i mesfushorit më të mirë shkoi për Luka Modric ndërsa ai i sulmuesit më të mirë për Cristiano Ronaldon. Leo Messi dhe Mohamed Salah ishin rivalët e portugezit të Realit i cili gjithsesi me Championsin e tretë radhazi të fituar nga Los Blancos dhe me 15 golat e realizuar në këtë edicion të Champions League nuk mund të kishte rivalë në këtë garë.
Megjithatë Ronaldo ka një rival të madh edhe për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit që jepet nga FIFA dhe për Topin e Artë që jepet nga France Football dhe ai është kroati Luka Modric i cili jo vetëm fitoi Championsin me Realin por shkoi edhe deri në finalen e Kupës së Botës me përfaqësuesen ballkanase.
Top Channel