Festivali i Venecias ngriti siparin me rikthimin e Damien Chazelle dhe Guillermo del Toro, karrierat e të cilëve morën një shtysë të fuqishme pikërisht në këtë event kyç të kinematografisë botërore.
Festivali më i vjetër i filmit në botë kremtoi 75-vjetorin e tij me premierën e “First Man” nga regjisori Chazelle, filmi i fundit i të cilit “La La Land” çeli Festivalin e vitit 2016 dhe fitoi 14 nominime të “Academy Awards” e 6 çmime. Del Toro është edhe anëtar jurie.
“E di se nga të gjithë festivalet e botës, Venecia është ndër më të rrallët, sepse mundet praktikisht t’i ndryshojë jetën një regjisori, pavarësisht pikës së karrierës në të cilën ai ndodhet”.
Del Toro fitoi vitin e kaluar “Luanin e Artë” për “The Shape of Water”, e më pas rrëmbeu me po të njëjtin film edhe lavdinë e “Oscar”-ëve.
“First Man” rrëfen historinë e udhëtimit të trazuar të Neil Armstrong drejt kthimit në njeriun e parë që shkelte në Hënë. Salla e priti shfaqjen e tij me një ovacion treminutësh. Kritika e ka pritur mirë filmin, të cilin e përshëndet për “përfshirjen emocionale” dhe “aspektin e jashtëzakonshëm teknik”.
Janë 3.300 gazetarë këtë vit në Venecia, 1.300 nga të cilët të huaj, një rritje e ndjeshme e numrit të reporterëve që mbulojnë eventin. Ceremonia e hapjes nderoi gjithashtu edhe aktoren veterane, Vanessa Redgrave, me “Luanin e Artë të arritjeve të një jete”, dhënë pas një dokumentari të shkurtër që kalonte në revistë karrierën e saj.
Top Channel