Për aktin mafioz, ndaj gazetares Klodiana Lala, shtëpia e të cilës u sulmua me breshëri kallashnikovi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka reaguar edhe ish kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Ish kryeministri e quajti sulmin si “një akt mafioz të narkoqeverisë”, ndërsa theksoi se ky akt është porositur dhe organizuar nga familjet e mëdha mafioze.

“Ky akt i porositur dhe organizuar nga familjet e mëdha mafioze të narkoqeverisë së Noriegës, përbën një përshkallëzim të ri tepër të rrezikshëm të diktatit të mafies qeveritare, përpjekjeve mafioze e kriminale të saj, për t’i mbyllur gojën një gazetareje investigative, e cila po investigonte me guxim dhe vendosmëri mbi kokainën, krimin dhe trafiqet kriminale të niveleve më të larta të familjeve qeveritare mafioze, ndër të cilat edhe vet të Noriegës” shkruan Berisha.

Më tek ish kryeministri ka edhe një mesazh për pasuesin e tij në krye të kabinetit të ministrave, Edi Ramën, të cilit i referohet me emrin Noriega.

“Le të paralajmërojmë të dashur miq Noriegën, se vrimë miu nuk do gjesh të futesh dhe se fatin e diktatorit panamez do të pësosh, por jo nga marinsat e SHBA-ve, por nga qytetarët dhe aleanca antikrim e Shqipërisë, në rast se vazhdon me këto akte hakmarrjeje primitive ndaj Klodiana Lalës, familjes së saj apo çdo gazetari në këtë vend!”, mbyll deklaratën e tij Berisha.

Ja statusi i plotë i Berishës:

Top Channel