Studiot e reja të Top Channel; Vijon puna për përgatitjen e sezonit të ri televiziv

29/08/2018 19:59

Top Channel nis një sezon të ri, të rëndësishëm edhe të mbushur me programe të reja. Ndonëse këto muaj vere në dukje janë të qeta, nga brenda puna është në kulmin e saj. Shumë studio të reja janë konceptuar dhe përkthyer vizualisht me risi në teknologji dhe ide.

Fatmir Minga, skenograf i Top Channel shpjegon edhe risitë që vijnë me studiot e reja.

“Ftesë për Pesë”, do të jetë emisioni që do të zëvendësojë “Pasdite në Top Channel” por me një koncept krejt tjetër, edhe në imazh edhe në mënyrën se si do prezantohet ky lloj emisioni.

Ndryshime ka edhe në studion e sportit, ku Fatmir Minga shprehet se do të jetë tërësish ndryshe, e kuruar maksimalisht mirë.

Në një tjetër studio do të zhvillohet emisioni politik, ku hapësira më e madhe sjell novacion.

“Zakonisht kur bëhet një bisedë politike, shumë here është e mërzitshme, jo gjithmonë ka dinamikë, por të paktën studio të jetë e këndshme nga ana vizive, të të shijojë në njëlloj mënyre”, shprehet Minga.

Janë tetë studio të reja që po marrin formë në Top Channel, e nga kjo fazë ndërtimi e formës, do ia lërë vendin shpejt përmbajtjes.

“Risi për Top Channel këtë radhë është një studio për shëndetin. Është studio e këndshme, interesante, e mbledhur, besoj që do bëjë efekt të mirë. Të gjitha ato anët vizive të mjekësisë janë të bukura, por janë edhe të frikshme nganjëherë. Kështu që ne mbajmë një qëndrim televizioni”, shpjegon skenografi Fatmir Minga.

Një nga studiot më të mira për skenografin Minga do të jetë ajo e emisionit “Dilema”.

Një formë të re do të ketë edhe programi “Në shtëpinë tonë”, koncepti ka evoluar më tepër. Do bëhet një sallon, jomondan, i thjeshtë, ku do bëhen biseda të tjera.

Në vazhdimin e edicionit të lajmeve të 15:30 do vazhdohet me intervistën e ngjarjes kryesore të ditës me një studio të lidhur ngushtësisht me edicionet informative në Top Channel, të cilat do kenë edhe më tepër hapësirë.

I gjithë ky proces është si një zinxhir i madh, por delikat, me shumë hallka sa është pothuajse e paimagjinueshme të kuptojmë mbarimin.

“Është ushtri e madhe këtu. Duke filluar nga elektriku, nga ndriçimi, që janë të gjithë artistë. Duhet të kontribuojmë maksimalisht për të bërë këtë dhe të gjithë kanë një detyrë të caktuar. Nuk pushon “Top- i” asnjëherë, të jeni të sigurt që nuk pushon!”, thotë Minga.

Këto janë ditët e fundit të punës gjithë vrull për nisjen e sezonit të ri këtu në Top Channel, një sezon akoma më shumë dinamik. Prodhime televizive origjinale për të vijuar një traditë këtu në Top Channel, duke qëndruar të parët në informacion, debate, argëtim, sport, kulturë, muzikë dhe spektakël.

T’i ndalësh njerëzit këto ditë në Top Channel nuk është e lehtë. Të gjithë janë duke vrapuar dhe duke punuar në përgatitje të një sezoni të ri, i cili patjetër që do të ketë shumë risi, shumë ide dhe kreativitet si gjithmonë ndodh në Top Channel.

Top Channel