PD: Rama heshti për kërcënimin e gjykatësit të Strasburgut. Kjo tregon se është fajtor!

29/08/2018 13:07

Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi të mërkurën se “audio-regjistrimi i publikuar dje në media, ku, në emër të Edi Ramës, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba shantazhon anëtarin e Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, u provoi shqiptarëve se qeverisen nga një kryeministër armik i të drejtave themelore të njeriut dhe që e drejton vendin si një organizatë mafioze”.

“Edi Rama, Sekretari i tij i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba mund të përdorin të gjithë pushtetin për të mbyllur çështjen, por ata nuk mund të ndryshojnë dot një fakt: se gjyqtari Ledi Bianku e ka raportuar shantazhin tek eprorët në Gjykatën e Strasburgut. Media që zbuloi skandalin ka kontaktuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku dhe ai ka konfirmuar jo vetëm takimin me Denar Bibën, por edhe përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio. Gjithashtu, gjyqtari shqiptar në Strasburg ka konfirmuar se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Denar Bibën, ka informuar kryetarin e atëhershëm të Gjykatës së Strasburgut, duke e cilësuar mesazhin e të dërguarit të qeverisë si ndikim të papërshtatshëm”, u shpreh Bardhi.

“Mjafton ky pohim për të kuptuar përpjekjen qesharake të sekserit të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit për t’u thonë shqiptarëve se nuk është ashtu siç duket, se shantazhi nuk është shantazh, por miqësi e vjetër. Çfarëdo të bëjë Edi Rama me Engjëll Agaçin, është fakt i pandryshueshëm se të ashtuquajturën “bisedë miqësore” të Denar Bibës, gjyqtari shqiptar në Strasburg e raportoi pranë Kryetarit të Gjykatës së Strasburgut si ndërhyrje të paligjshme në punën e tij. Një ndërhyrje e tillë synonte ndihmë për qeverinë kundër interesave të pronarëve shqiptarë. Audio-regjistrimi është prova më diskredituese për Edi Ramën se, pasi u hoqi shqiptarëve të drejtën për t’u ankuar me nxjerrjen jashtë funksionit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, me mënyra mafioze, po u heq të drejtën pronarëve për t’u gjykuar nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe për të rifituar pronën e grabitur nga qeveria”, shtoi këshilltari ligjor i PD-së.

Bardhi theksoi se “heshtja e Edi Ramës ndaj këtij akti kriminal është pohim i asaj që beson sot shumica e shqiptarëve, se ai është urdhëruesi i aktit mafioz për shantazhimin e gjyqtarit në Strasburg dhe se kërcënimi, kapja politike, blerja e korruptimi është modeli i drejtësisë së re që po instalon Edi Rama”.

Top Channel