Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, me anë të një postimi në Facebook deklaroi se kryeministri Edi Rama pasi jep miliona euro nga paratë e shqiptarëve për miqtë e tij, nuk ka guxim të përgjigjet vetë ndaj akuzave, por “fshihet pas Ulsiut e Fugës”.

“Jep 15.6 milionë euro nga paratë e shqiptarëve baxhanakut te tij; jep 17.3 milionë euro Papulit që i ndërtoi vilën në Surrel; kërcënon gjyqtarin në Strasburg që t’i hapë rrugë vjedhjes së pronave të shqiptarëve dhe nga ana tjetër nuk ka guximin të përgjigjet, por fshihet pas Ulsiut e Fugës.
Ky është Edi Rama…”, shkruan Noka.

Endri Fuga reagoi të mërkurën ndaj denoncimeve të Partisë Demokratike për tenderat që sipas saj, qeveria i ka dhënë miqve të Edi Ramës. “Dje njëri, sot tjetri. Përgojojnë njerëz dhe hedhin në eter shifra shumëmilionëshe, duke e bërë të kotë që të përgjigjesh për çdo budallallëk”, shkroi Fuga në Twitter.

“Kryeministri dhe qeveria janë të vendosur që të çojnë përpara reformat dhe të fokusojnë të gjithë vëmendjen te njerëzit dhe puna në shërbim të tyre”, shton Endri Fuga.

Ndërsa deputeti socialist Ulsi Manja deklaroi të mërkurën se audio-përgjimi i Denar Bibës dhe Ledio Biankut i para 4 viteve është thjesht një “bisedë kafeneje mes miqsh”.

“Dje, prova që opozita preku fundin. Denar Biba, mik i Ledio Biankut, u zbulua pas 4 vitesh nga Basha si i dërguar i qeverisë për shantazh. Opozita e sotme, dje në pushtet, e di shumë mirë çështjen e pronave dhe detyrimet e qeverisë shqiptare, sipas vendimit-pilot të Gjykatës së Strasburgut. Qeveria e PD-së nuk bëri asnjë hap për rekomandimet e Gjykatës së Strasburgut. PD ende nuk ka dhënë llogari për katrahurën me pronat në Shqipëri dhe gjen guximin për të kërkuar llogari për një bisede në kafe mes miqsh”, tha Manja.

Top Channel