Gjykata s’lejon ankimim për veten, absurdi në Tropojë me çështjen e HEC-eve në Valbonë

29/08/2018 20:36

Gjykata e Tropojës vijon me vendime absurde sa i takon çështjes së ndërtimit të hidrocentralit Dragobia në lumin e Valbonës.

Pas vendimit për bllokimin e veprimeve përmbarimore, që kishin për synim ndaljen e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit, pas vendimit të Gjykatës Administrative, po e njëjta Gjykatë ka vendosur tani të mos pranojë ankimimin për vendimin që ka dhënë vetë për bllokimin e veprimeve përmbarimore.

Gjyqtari Dritan Seci ka vendosur të mos pranojë ankimin e shoqatës “Toka”, e cila i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit të Shkodrës për të kundërshtuar vendimin për bllokimin e veprimeve përmbarimore. Pra, e njëjta gjykatë që bllokoi pezullimin e punimeve, vendos që të mos ankimohet vendimi i tij, me argumentimin se shoqata “Toka” nuk ka qenë palë në proces kur është marrë vendimi për bllokimin e përmbarimit.

Në një kohë kur shoqata “Toka” ka iniciuar procesin gjyqësor në Gjykatën Administrative, e cila vendosi pezullimin e punimeve me hidrocentralin Dragobia deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Pak ditë më vonë, në gjykatë ankimon vendimin edhe përmbaruesi, por jashtë afateve ligjore.

Megjithatë për shkak të vëmendjes së madhe që ka tërhequr çështja e hidrocentraleve të Valbonës, i njëjti gjykatës që rrezoi ankimimin e shoqatës “Toka”, vendos në afat ankimimin e përmbaruesit. Tani çështja do shkojë në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

Gjithçka nisi pas një vendimi kontravers për bllokimin veprimeve përmbarimore për pezullimin e punimeve. Sipas ligjit, një gjykatë civile nuk mund të kundërshtojë apo të bllokojë ekzekutimin e një akti administrative të marrë nga Gjykata Administrative. Më konkretisht, pika 2 e nenit 65 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës administrative përcakton.

Çdo akt i nxjerrë apo veprim i kryer nga organi publik i paditur, pasi vendimi i Gjykatës Administrative është bërë i ekzekutueshëm, dhe që është në kundërshtim me dizpozitivin e vendimit të gjykatës, është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk pengon ekzekutimin.

Pra, referuar përcaktimeve të këtij neni, zyra përmbarimore ka të drejtën dhe detyrimin ligjor të ekzekutojë pezullimin e punimeve të hidrocentralit mbi Valbonë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Administrative, pavarësisht vendimeve të Gjykatës të Tropojës, të marra në kundërshtim me ligjin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA