Gjykata e Tropojës vijon me vendime absurde sa i takon çështjes së ndërtimit të hidrocentralit Dragobia, në Lumin e Valbonës.
Pas vendimit për bllokimin e veprimeve përmbarimore, që kishin për synim ndaljen e punimeve për ndërtimin e hidrocentralit, pas vendimit të Gjykatës Administrative, po e njëjta Gjykatë ka vendosur tani të mos pranojë ankimimin për vendimin që ka dhënë vetë për bllokimin e veprimeve përmbarimore.
Gjyqtari Dritan Seci ka vendosur të mos pranojë ankimin e shoqatës “Toka”, e cila i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit të Shkodrës për të kundërshtuar vendimin për bllokimin e veprimeve përmbarimore. Pra, e njëjta gjykatë që bllokoi pezullimin e punimeve, vendos që të mos ankimohet vendimi i tij, me argumentimin se shoqata “Toka” nuk ka qenë palë në proces kur është marrë vendimi për bllokimin e përmbarimit.
Në një kohë kur shoqata “Toka” ka iniciuar procesin gjyqësor në Gjykatën Administrative, e cila vendosi pezullimin e punimeve mne hidrocentralin Dragobia deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Vendimi për mospranimin e ankimit është vazhdim i shkeljeve që Gjykata e Tropojës, me gjyqtarin e vetëm Dritan Seci, kanë marrë për këtë çështje.
Shkelja kryesore është vendimi për bllokimin e veprimeve përmbarimore për pezullimin e punimeve. Kjo pasi një gjykatë civile nuk mund të kundërshtojë apo të bllokojë ekzekutimin e një akti administrativ të marrë nga Gjykata Administrative. Më konkretisht, pika 2 e nenit 65 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Administrative përcakton: “Çdo akt i nxjerrë apo veprim i kryer nga organi publik i paditur, pasi vendimi i Gjykatës Administrative është bërë i ekzekutueshëm, dhe që është në kundërshtim me dispozitivin e vendimit të gjykatës, është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk pengon ekzkeutimin”.
Pra, referuar përcaktimeve të këtij neni, zyra përmbarimore ka të drejtën dhe detyrimin ligjor që të ekzekutojë pezullimin e punimeve të hidrocentralit mbi Valbonë, në zbatim të vendimit të Gjykatës Adminstrative, pavarësisht vendimeve të Gjykatës së Tropojës, të marra në kundërshtim me ligjin.
Top Channel