Në 30 minuta në Korçë ra shi aq sa mund të binte për muaj të tërë. Intensiteti i rreshjeve dhe prurjet e ujit u bënë të papërballueshme për rrjetin e kanalizimeve. Pazari i Korçës u përmbyt për disa orë, aq sa u desh ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës për të tërhequr ujin.
Megjithëse është rikthyer normaliteti, është e nevojshme marrja e masave për t’i bërë ballë stuhive të tilla që po bëhen edhe më të shpeshta me ndryshimet klimaterike.
Përveç Pazarit, uji vërshoi edhe në rrugët e qytetit, ndërsa kjo situatë vjen si pasojë e mosfunksionimit të kanalit të Gjancit, i cili priste ujrat e Moravës për të mos i lënë ato të depërtojnë në qytet. Bashkia e Korçës përballë këtij fenomeni të përsëritur është duke kërkuar një zgjidhje për devijimin e ujrave dhe shmangien e përmbytjeve.
Pazari i Vjetër i Korçës është një prej zonave më të ulëta në qytet, çka shkakton edhe grumbullimin e menjëhershëm të ujit.
Top Channel