613 kg kokainë/ Arbër Çekaj, dosje penale edhe në Gjermani. Shtyhet ekstradimi

28/08/2018 15:05

Gjetja në mars të këtij viti të 613 kilogramëve kokainë në një kontenier me banane që vinte nga Kolumbia, duket se i ka hapur të tjera telashe pronarit të firmës “Arbri Garden”, që kishte porositur ngarkesën.

Prej 4 muajsh, Arbër Çekaj mbahet i arrestuar në Gjermani, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri e shpalli në kërkim ndërkombëtar pas caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg”. Por, edhe pse u arrestua në bazë të urdhër-kërkimit ndërkombëtar të lëshuar nga Shqipëria, duket se autoritetet gjermane po e hetojnë Çekajn edhe për llogari të tyre.

Pikërisht kjo është arsyeja e vonesës së ekstradimit të Çekajt drejt vendit tonë. Burime të Top Channel janë shprehur se hetuesit gjermanë kanë dyshime se një pjesë e kokainës së kapur në Portin e Durrësit kishte si destinacion final Gjermaninë.

Pikërisht ky dyshim ka bërë që autoritetet gjermane të mos e lëshojnë Arbër Çekajn për momentin, duke bllokuar ekstradimin e tij.

Ndërkohë, burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, edhe pse e pranojnë që i kërkuari i tyre po hetohet për llogari të gjermanëve, janë shprehur se ende nuk ka një afat se kur Çekaj do të ekstradohet drejt vendit tonë.

Pas gjetjes së 613 kilogramëve kokainë në kontenierin me banane, Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi shoferin e kamionit si dhe menaxherin e firmës “Arbri Garden”, të cilët janë shprehur se nuk kishin dijeni mbi drogën e fshehur në dyshemenë e dyfishtë të kontenierit.

Ndërsa nuk është identifikuar asnjë person tjetër i implikuar në këtë trafik ndërkontinental të drogave të forta, pronari i ngarkesës ku ishte fshehur droga vazhdon të mbahet nga autoritetet gjermane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA