Më 1 Janar, 1967, Jugosllavia u hap ndaj botës. Që nga ajo ditë, vizitorët e huaj lejoheshin të futeshin pa viza në këtë shtet socialist që nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Teksa kompanitë e udhëtimeve, sidomos ato britanike, nxitonin të dërgonin me dhjetëra-mijëra pushues në plazhet e Adriatikut, hotelet nisën të ndërtoheshin me shpejtësinë e avionëve Caravelle të JAT Airways, (Jugoslovenski Aerotransport).

Ajo që la shumë mbresa ishte shkalla dhe ambicia arkitekturore e komplekseve të reja të hoteleve në vend, të cilat ishin shpesh pak a shumë sa një qytezë. Më spektakolari ishte Hoteli Haludvo, në ishullin e Kërkut. Hoteli në Adriatik ishte një “lodër” e investuesit të parë, Bob Guccione, botuesi njujorkez i revistës Penthouse.

Hoteli Haludovo në ishullin Kërk. Foto nga CNN

Hoteli i hapur në vitin 1972, me pije që shërbeheshin nga modele të Penthouse, pothuajse të zhveshura, ishte një vend i kushtueshëm dhe i përqendruar te argëtimi ekstrem, tepër seksit edhe për kohën. Arkitektura e gjerë dhe energjike ishte vepër e Boris Magas, dhe dukej si skena e një filmi të agjentit 007, në një vend socialist.

Haludovo falimentoi një vit pasi u hap. Më pas u mor nën menaxhim shtetëror, me drejtim më të kursyer se ai i Guccione-s. Por kjo vazhdoi derisa u godit nga luftërat e egra Jugosllave, në vitin 1991. Hoteli shërbeu si kamp refugjatësh dhe u shit sërish në vitin 1995, gjatë një faze privatizimesh në Kroaci. Por sërish u mbyll, gjashtë vite më vonë. Që atëherë ky hotel ka qëndruar i mbyllur. Arkitektura e guximshme ka rënë prè e rrënimit, diçka që fotografët urbanë e shohin si shumë tërheqëse.

Monumentet që kalben

Fat të ngjashëm kanë pësuar edhe monumente të tjera, në të gjithë ish-Jugosllavinë, të cilat shprehnin vlerat kontradiktore të konfederatës jetë-shkurtër të socialistit Tito. Pallate ambicioze kongresesh dhe monumente përkujtimore për partizanët që larguan forcat e Aksit nga Jugosllavia në vitet 1943-1944, tashmë janë të shkatërruara nga lufta dhe e kanë humbur rëndësinë.

Monument për kryengritjen e Kordunit dhe Banjas, në Petrova Gora, Kroaci. Foto nga Valentin Jeck

Në thellësinë e pyjeve që formojnë Parkun Kombëtar të Sutjeskës, në Bosnje Hercegovinë dhe Mal të Zi, gjendet një skulpturë abstrakte me krahë prej betoni.

Forma është krijuar nga artisti Miodrag Živković dhe është ndërtuar në fillim-vitet 1970. Monumenti gjendet në zemër të vendit ku ndodhi beteja e Sutjeskës, ku ushtria e Titos mori epërsi ndaj Gjermanisë naziste.

Çdo vit, me qindra mijëra jugosllavë shkonin të nderonin 7000 partizanët e vrarë në këtë fushëbetejë. Por sot, skulptura prej betoni lihet shpesh vetëm, e madje edhe pa pastruar.

Monumenti i Betejës së Sutjeskës, Bosnje Herzegovinë Foto nga Valentin Jeck

Autoritetet kanë hequr mbishkrimet e shkarravitura mbi monumente, por jo me shumë sukses. Një rrëshqitje dheu që ndodhi këtë vit, e dëmtoi terrenin rrotull monumentit.

Ndërkohë, holli memorial poshtë krahëve mbetet i vandalizuar. Shtëpia e Memorialit, e krijuar nga arkitekti Ranko Radoviç, e përuruar në vitin 1975, përbëhet nga struktura piramidale të ndërlidhura me njëra-tjetrën, duke krijuar një formë abstrakte, të ngjashme me kasollet e barinjve që gjenden edhe sot nëpër zonë. Është ndërtesë shumë e veçantë. Ndërsa brenda ka formë kupole. Hapësirat ku bie dielli janë bosh, pasi u plaçkitën nga ushtria e serbëve të Bosnjës në vitet 1992 dhe 1995. Afresket që përshkruanin luftën partizane janë shpërfytyruar me shkarravina.

Biblioteka Kombëtare, Prishtinë. Foto nga Valentin Jeck

Aty ku Titoja ofronte liri dikur, sot duhet të bësh kujdes kur ecën. Ka ende mina të mbetura nga lufta e vitit 1990. Çdo verë, paqja e Luginës së Heronjve (dhe jeta e ujqve, drerëve e shqiponjave) trazohet nga një festival roku. Disa nga grupet në festivalin e sivjetshëm quheshin “Repi Ateist”, “Celtikët Ortodoksë” dhe “Orgazma Elektrike”.

 Trashëgimia e betonit

Lulëzimi i veprave guximtare prej betoni në Jugosllavi pati jetë të shkurtër, që nga monumentet kombëtare, qendrat civile, muzetë, televizionet, etj. Këtë muaj festohen me një ekspozitë të quajtur “Drejt Utopisë së Betonit, Arkitektura Jugosllave në vitet 1948-1980”, në Muzeun e Arteve Moderne të Nju Jorkut, MoMA.

Monumenti i Kryengritjes së Ilindenit, Krushevë, Maqedoni Foto nga Valentin Jeck

Ky muze duket i përshtatshëm. Jugosllavia e Titos, sado autoritare në thelb, ishte përpjekje për të gjetur një rrugë të mesme midis strukturave të zymta të socializmit sovjetik dhe të lirisë me madhështi që ofrohej në Amerikën e pas-luftës. MoMA ka kuruar dy ekspozita të tjera në kryeqytetin jugosllav, Beograd; “Arti Modern në SHBA”, në vitin 1956, dhe “Ndërtuar në SHBA”, në vitin 1958.

Në panairin botëror të Brukselit, në vitin 1958 (Expo 58), pavijoni jugosllav ishte vendosur shumë larg atij sovjetik, me një strukturë të lehtë, ku hyrjet e hapura ishin pajisur me mure xhami dhe shkallë elegante. Modelet e Vjenceslav Richter u konsideruan si një kundërpërgjigje e mençur ndaj dorës së rëndë të Realizmit Socialist që po vazhdonte në Bashkimin Sovjetik, një arkitekturë që dukej sikur po merrte veten nga stili vrastar i Stalinit, i quajtur “parajsa e punëtorëve”.

Hotel Adriatik II, Opatija, Kroaci, Foto nga Valentin Jeck

Arkitektura e re Jugosllave, e realizuar kryesisht me kosto të ulët dhe beton të lakueshëm, ishte një mënyrë guximtare për të shprehur ndryshimin e vendit, si dhe për të shprehur ndryshimet midis kulturave të republikave që e formonin Jugosllavinë. Shprehej me energji, imagjinatë dhe stil. Po republikat e reja, të krijuara pas rënies së federatës, ku këto arkitektura vazhdojnë të qëndrojnë edhe sot, a do të mësojnë t’ua vlerësojnë cilësitë një ditë? A do të hapet sërish hoteli Haludovo Palace? Këtë do ta tregojë vetëm koha dhe ndonjë pasion i ri për ndërtesa betoni.

Jonathan Glancey, CNN

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA