Mbrohu… shih kundërshtarin… godit… Këto janë tre hapa se si mund të dalësh kampion në sportin e Taekwondo.
Orseld Shkalla është vetëm 14 vjeç dhe ushtron artet marciale që kur ishte 5 vjeç.
“Kam filluar që në moshën 5 vjeç e gjysmë, në një palestër aty afër lagjes. Shkoja 3-4 herë në javë. Në fillim mëson pak nga vetëmbrojtja dhe nga sulmi”, tregon Orseldi.
14-vjeçari numëron dhjetëra medalje si brenda, por edhe jashtë vendit nëpër turrnetë e zhvilluara të këtij sporti, gjithsej 15 medalje ari.
“Unë kam fituar shumë ndeshje dhe rreth 40 medalje. Në Shqipëri kam dalë më shumë se 10 herë kampion. U shpalla kampion në 2013 në Sofia Open, ka qenë një kampionat shumë i fortë. Dola në vend të parë me 6 ndeshje. Dhe rezultati më i madh që kam arritur ka qenë kur munda një serb 47 me 5”, shprehet Orseldi.
Në 14 shtator e pret një tjetër turne i rendësishëm, nga i cili synon të sigurojë rripin e zi me ekipin e “Tirana TAEKWONDO”: “Deri tani kam arritur rripin gjysmë të zi dhe besoj se me punë dhe vullnet do të arrij edhe rripin e zi. Gjithmonë mendo se je më i fortë se kundërshtari sepse nëse ke ato emocionet se ai është më i gjatë, më i fortë dhe me trup të madh, do e kesh ndeshjen me frikë dhe ke më shumë shanse që të humbësh”.
Top Channel