“Irani ka marrë kontrollin e plotë të gjirit e ngushticës së Hormuzit”

27/08/2018 11:52

Sipas kreut të marinës së Gardës Revolucionare, gjeneralit Alireza Tangsiri, i cituar këtë të hënë nga agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim”, Irani ka marrë kontrollin e plotë të gjirit dhe ngushticës së Hormuzit.

Zyrtarë iranianë kanë kërcënuar në të kaluarën me bllokim të kësaj ngushtice, e cila është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës, në shenjë hakmarrjeje për veprimet armiqësore të Shteteve të Bashkuara.

Tensionet mes Iranit dhe Amerikës janë përshkallëzuar që kur presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të tjera botërore, në muajin maj, dhe vendosi më pas rikthimin e sanksioneve.

Zyrtarë të lartë amerikanë, ndërkohë, kanë thënë se synojnë t’i reduktojnë eksportet iraniane të naftës deri në zero.

Por, lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, autoriteti më i lartë në Republikën Islamike, tha gjatë muajit të kaluar se mbështeste totalisht idenë se, nëse Iranit nuk i lejohet të eksportojë naftë, atëherë anjë vendi të rajonit nuk do t’i lejohet të bëjë të njëjtën gjë përmes gjirit të Hormuzit.

Top Channel