“Carmen” shqiptare. Interpretimi i Flaka Gorancit merr vlerësime në “Opera Viva”

27/08/2018 16:10

Në kantonin më të madh të Zvicrës, Graubünden, nga data 27 korrik deri më 11 gusht u mbajt festivali tradicional i operës “Opera Viva”, pjesë e të cilit ishte edhe opera Carmen, një nga më të njohurat e kompozitorit francez George Bizet.

Për rolin kryesor, atë të Carmen, u zgjodh mexosopranoja e njohur shqiptare Flaka Goranci, interpretimi i së cilës është vlerësuar maksimalisht nga kritika zvicerane, duke e cilësuar Flakën si një artiste të kompletuar në të gjitha aspektet.

“Natyrisht, pas një kritike të tillë kush nuk do të ndihej mirë. Për mua ka qenë një kënaqësi, një aprovim i gjithë asaj pune, i gjithë përkushtimit tim, por ka qenë edhe një vlerësim mjaft i rëndësishëm sepse të marrësh një kritikë për një rol si Carmen, një rol mjaft kompleks, ka qenë një mrekulli”, shprehet Goranci.

Carmen është një ndër rolet më të vështira për një mexosoprano, pasi kërkon njëherësh jo vetëm pjekuri vokale, por edhe një lojë skenike dhe aftësi interpretative.

“Normalisht që pjekuria vokale arrihet me eksperiencën. Opera “Carmen” është një teatër e pastaj është një opera, ndaj për mua tingëllon mjaft impresionuese mundësia që të këndosh një Carmen, sepse mund të gjesh shume gjëra, të cilat mund t’i kombinosh mjaft bukur”, theksoi Goranci.

Në gazetën “Südostschweiz” kritika shkruan se “kush merr përsipër këtë rol, duhet të lërë gjurmë të mëdha dhe të luajë po aq mirë sa edhe këndon. Flaka Goranci ka talent të lindur për aktrim”, duke vulosur kështu mbylljen e një sezoni të suksesshëm për mexosopranon shqiptare nga Kosova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA