“Bego”, verifikim edhe tenderat. Prokuroria kërkon informacion edhe për të afërmit e biznesmenit

27/08/2018 15:08

Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka vonuar të dërgojë shkresat e para në kuadër të verifikimit të pasurisë ndaj biznesmenit Edmond Bego, i dënuar më parë në Itali për trafik narkotikësh dhe organizatë kriminale.

Burime pranë këtij organi janë shprehur se gjatë ditës së hënë, janë firmosur shkresat që do t’i dërgohen bankave të nivelit të dytë, zyrës së gjendjes civile, Agjensisë së Prokurimeve Publike si dhe disa bashkive dhe njësive administrative në vend.

Më konkretisht, shkresa drejtuar zyrës së gjendjes civile kërkon informacion mbi të afërmit e rrethit familjar të Begos. Shkresa drejtuar bankave kërkon informacion mbi llogaritë në emër të Begos, firmës që ai ka hapur dhe të afërmve të tij si dhe transkasionet e ndryshme që mund të jenë kryer. Ndërsa në Agjensinë e Prokurimeve Publike, përveç informacionit, prokuroria pritet të sekuestrojë edhe dokumentacione të ndryshme që kanë të bëjnë me procedurat e ndjekura për tenderat që Bego ka fituar nga fondet publike.

E njëjta skemë pritet të aplikohet edhe për disa bashki në vend, si ajo e Tiranës, Elbasanit dhe Librazhdit, ku dyshohet që Bego mund të ketë fituar tendera nga fondet publike.

Sipas ligjit shqiptar, një person i dënuar penalisht për krime në kuadër të organizatës kriminale nuk mund të përfitojë para’ nga fondet publike. Emri i biznesmenit u rikthye në qendër të mediave dhe politikës shqiptare javën e shkuar, pasi policia greke e ndaloi në Igumenicë në bazë të një urdhër-kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane, të cilat e kishin dënuar Begon në vitin 2008 me 21 vite burg për trafik narkotikësh dhe organizatë kriminale.

Partia Demokratike, në disa deklarata për shtyp, akuzoi kreun parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Ballën se kishte lidhje me biznesmenin e dënuar për trafik droge dhe se e kishte mbrojtur politikisht atë. Madje, PD-ja kërkoi nisjen e hetimeve nga prokuroria, pasi Edmond Bego kishte përfituar fonde publike nëpërmjet trenderave edhe pse rezultonte i dënuar penalisht për trafik droge.

Për dënimin e marrë në Itali, me 21 vite burg, Gjykata e Lartë shqiptare ia konvertoi Begos në 4 vjet e 4 muaj, nga të cilat ai kreu në Shqipëri vetëm 1 vit e 11 muaj burgim, duke shlyer në këtë mënyrë dënimin e dhënë nga autoritetet italiane.

Top Channel