Kisha restaurohet gabim; Kritika për ndërhyrjen në Kishën e Apostujve

26/08/2018 13:26

Kisha e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë po restaurohet. Ky monument i rralle i kultit dhe artit të mesjetës prej dekadash rrezikonte shembjen dhe humbjen e afreskëve. Por projekti që kushton rreth 19 milionë lekë kontestohet nga ekspertët për shkak të teknikës së restaurimit.

Fillimisht projekti i restaurimit nisi me çmontimin e hajatit të kishës dhe rindërtimin e tij. Teknika e shumëkritikuar filloi të zbatohet edhe me murin e pasëm të Kishës. Një prej teknikëve lokalë thotë se në monument është duke u kryer një ndërhyrje flagrante dhe e pakujdesshme që po i zhbën identitetin.

Ndërsa Reshat Gega arkitekt restaurator thotë se teknika është e papranueshme dhe se po dëmton vlerën e këtij objekti.

Megjithatë sipas ministres së Kulturës Mirela Kumbaro ky operacion i komplikuar ndërhyrjesh është mundësia e vetme për ta shpëtuar objektin që ka probleme madhore konstruktive.

Kisha e Apostujve apo e njohur si kisha e Shën Petros dhe Pavllos është e vetmja që i ka rezistuar kohës mes 24 kishave të zonës më të thellë të Zagories në Gjirokastër.

Debati mbi teknikat shpëtuese në restaurim përfshin në fakt edhe disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare në jug të vendit si Kisha e Labovës së Kryqit, Kisha e Shën Kollit në Mesopotam, kisha e Kosinës në Përmet, kisha e Dhërmiut apo restaurimet në zonën historike të Gjirokastrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA