Në rrugë shkelen rregullat. Policia qëndron larg “njollave të zeza” të aksidenteve

25/08/2018 15:20

Mjaftojnë pak minuta vëzhgim në disa nga rrugët kryesore pranë Tiranës dhe nuk mungojnë shkeljet e shumta që kryejnë drejtuesit e mjeteve me koshiencë të plotë për të shmangur disa metra më shumë, ku mund të kthehen sipas rregullave.

Kamera e Top Channel monitoroi për pak minuta mbikalimin e Kasharit, që të çon drejt aeroportit të Rinasit dhe konstatoi disa shkelje të drejtuesve të mjeteve, të cilët kthehen në një vend ku nuk lejohet.

Këtyre veprimeve të papërgjegjshme të drejtuesve të mjeteve, thjesht për të shmangur disa metra më shumë të përshkuara me makinë, u shtohen edhe këto lloj nyjesh lidhëse të rrugëve dytësore me autostradën, të cilat teknikisht janë të papranueshme për mënyrën se si janë projektuar, duke sjellë rrezik konstant për aksidente.

Dhe në një situatë të tillë, ku ndërthuret papërgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve me projektime të gabuara të kthesave apo nyjeve lidhëse, i shtohet edhe mungesa e Policisë Rrugore aty ku duhet të jenë me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Dhe si për ironi të fatit, tek mbikalimi i Rinasit, gjatë kohës kur konstatoheshin shkeljet, një makinë e Policisë Rrugore qëndronte anës autostradës.

Ashtu sikurse edhe në aksin Tiranë–Elbasan, ku makinat e policisë qëndrojnë në një rrugë të drejtë dhe asnjëherë në “njollat e zeza” ku ndodhin aksidente thuajse çdo ditë, herë me pasoja dhe herë thjesht me dëme materiale, siç është kthesa në dalje të tunelit.

Dhe natyrshëm lind dilema: nëse Policia Rrugore del në rrugë për të vendosur vetëm gjoba, apo për të parandaluar aksidentet në pikat e rrezikshme?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA