Prestigjiozja “The Economist” ka dalë me një pretendim befasues në një reportazh të shkurtër publikuar në faqen e saj “online”, ku trajtohet problemi i përdorimit të shtuar të narkotikëve nëpër botë, e kokainës në mënyrë të veçantë.

Çuditërisht, ajo del në përfundimin se Shqipëria ka përqindjen më të lartë, me pretendimin se në vendin tonë – sipas saj, – 2.5% e popullsisë konsumon drogë.

“Plot 18 milionë njerëz në mbarë botën janë përdorues të kokainës”, thuhet në reportazhin me titull “Pse kartelet po fitojnë”.

Lufta për drogën, sipas të përjavshmes së njohur, po çon në një krizë të re. Ajo veçon Britaninë, Spanjën, Australinë dhe Shtetet e Bashkuara, si konsumueset më të mëdha të këtij narkotiku në botë, duke i renditur sidoqoftë pas Shqipërisë.

Arsyeja përse vendi ynë kryeson listën e “The Economist” është se konsiderohet “vend tranzit për kokainën afgane”.

Prodhuesit kryesorë janë vendet e Amerikës së Jugut. Kolumbia është në vendin e 34-t në renditje për konsum, por është prodhues dhe furnizues i gjysmës së sasisë së kokainës në botë. Një kg në xhunglat e Kolumbisë shkon rreth 2.200 dollarë, ndërsa në Meksikë arrin 12-16 mijë dollarë. Në Europë shkon 53-55 mijë dollarë një kg.

Bandat e krimit të organizuar po kërkojnë rrugë të reja transporti, ndërsa volumin e kanë rritur më shumë se kurrë. Gjithashtu, edhe linjat dhe rrugët e vjetra të kanabisit po përdoren për transport kokaine, thotë “The Economist”.

Top Channel