Mbyllet kampi i LRI-së, Kryemadhi: Të rinjtë janë shpresa e këtij vendi

24/08/2018 22:41

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimin me të rinjtë e partisë që drejton nga Jala, tha se do të jetë pikërisht ky brez që do të përmbysë “diktaturën e krimit dhe të drogës”.

“Ka pasur nga ju që kanë qenë më aktivë në këtë kamping dhe që kanë qenë edhe viktima të dhunës policore në protestat e opozitës. Sepse, kur shteti ngre dorë mbi fëmijët e shqiptarëve, ai nuk mund të jetë gjë tjetër veçse armik i shqiptarëve. Ne do t’i përgjigjemi kësaj jo me dhunë, por me fjalët dhe veprat tona. Këtij regjimi, i cili po qëndron në pushtet me lekët e drogës dhe trafikut, që kërkon të tjetërsojë këtë vend në kështjellën e drogës dhe trafikut, ka vetëm një shpresë. Dhe ajo jeni ju! Ju jeni shpresa e këtij vendi për të çmontuar diktaturën e drogës dhe trafikut”, tha Monika Kryemadhi.

Sipas saj, çdo ditë njerëzit po humbasin jo vetëm shpresën, por po humbasin edhe frymën e të jetuarit në një vend normal dhe po gjejnë një mundësi tjetër për t’u larguar nga Shqipëria, së bashku me fëmijët e tyre.

“Njerëzit aspirojnë për të qenë në vendin e tyre me integritet dhe dinjitet, por mbi të gjitha jetojnë për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre. Ajo që është shumë e rëndësishme është se, LRI nuk është vetëm për të krijuar disa grupe që duan të trajnohen, nuk është për të dhënë disa mundësi, por është ai mision, i cili që në fillimet e tij e ka pasur qëllimin shumë të qartë. Është misioni për të rikthyer shpresën, vlerat, integritetin dhe dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, në Shqipërinë që për hir të së vërtetës na duhet shumë”, vijoi ajo, duke përmendur si fakt shqetësues dhe pakësimin e numrit të lindjeve, që sjell tkurrje të popullsisë.

Top Channel