Michael Cohen, ish-avokati personal i Presidentit Donald Trump dhe dikur njeri i besuar i tij, pranoi fajësinë të martën pasdite për shkelje financiare në fushatë zgjedhore.
Ai tha se bashkë me zotin Trump organizuan pagesat për t’i mbyllur gojën yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels dhe një ish modeleje Playboy, me synimin që të ndikohej në zgjedhje.
Sipas një marrëveshjeje të arritur me prokurorët federalë, 51 vjeçari Cohen mund të dënohet me katër deri në pesë vjet burg. Masa e dënimit do të jepet më 12 dhjetor.
Cohen pranoi fajësinë për gjithsej tetë akuza, duke përfshirë mospagim taksash dhe dhënie të një deklarate të rreme një institucioni financiar.
Duke deklaruar fajësinë, Cohen nuk përmendi me emër dy gratë apo Presidentin Trump dhe tha se kishte punuar me një “kandidat të paidentifikuar”. Por shumat e parave dhe datat e përmendura në seancë përkonin saktësisht me pagesat e bëra për zonjën Daniels dhe modelen Karen McDougal.
Pranimi i fajësisë nga Cohen erdhi pas shumë muaj hetimesh të hollësishme federale dhe prishjes së marrëdhënieve të tij me presidentin, për të cilin më parë ai thoshte se ishte gati ta mbronte qoftë edhe nëse “merrte vetë një plumb”.
Në muajin prill, FBI-ja bastisi dhomën e hotelit, shtëpinë dhe zyrën e zotit Cohen duke sekuestruar më shumë se 4 milionë dokumente dhe objekte të tjera. Gjatë bastisjes u kërkuan dokumente bankare, komunikimet me fushatën Trump dhe informacione rreth pagesave, përkatësisht 130 mijë dollarë për Daniels dhe 150 mijë për McDougal. Të dyja gratë kanë thënë se zoti Trump ka patur marrëdhënie intime me to, gjë që ai e ka mohuar.
Të martën, gjatë një vizite për fushatë në Virxhinian Perëndimore, Presidenti Trump nuk iu përgjigj pyetjeve rreth ish-avokatit të tij personal Cohen ndërsa po hipte në avionin presidencial Air Force One.
Presidenti ka shprehur publikisht pakënaqësi për atë që ai thotë se është një ndërhyrje e tepërt e qeverisë, ndërkohë që privatisht është treguar i shqetësuar për materialet që mund të ketë patur në zotërim Cohen, i cili kishte punuar për Organizatën Trump gjatë një dekade. Zoti Trump e quajti bastisjen “një gjueti shtrigash”, një sulm ndaj privilegjit avokat-klient dhe një sulm politikisht të motivuar nga armiqtë në FBI.
Ekipi i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, që po heton rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s në SHBA, ia referoi prokurorëve federalë në Manhatan çështjen Cohen, pasi kjo kishte të bënte me marrëdhënie të tij financiare.
Para zgjedhjeve, Cohen ishte anëtar i besuar i organizatës Trump dhe punonte në një zyrë në kullën Trump shumë pranë asaj të shefit të tij.
Ai organizoi grumbullimin e miliona dollarëve për fushatën e kandidatit Trump.
Vitin e kaluar, pasi u intervistua nga Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve, ai i tha revistës Vanity Fair se zoti Trump nuk kishte të bënte fare me komplotin e dyshuar rus për të manipuluar zgjedhjet.
Mbështetja fillestare e Presidentit për avokatin Cohen pas bastisjes që iu bë atij degjeneroi më pas në një grindje publike, duke nxitur hamendjet se, për të shpëtuar veten, Cohen mund të tregohej i gatshëm t’u jepte prokurorëve disa nga sekretet e tij me zotin Trump.
Më vonë, ekipi i tij publikoi një regjistrim të një bisede me zotin Trump, ku të dy diskutonin për një prej pagesave me të cilën do t’i mbyllnin gojën njërës prej grave. Pas publikimit të këtij regjistrimi, zoti Trump shkroi në Twitter: “Cili është ai avokat që regjistron fshehurazi klientin e vet? Sa gjë e trishtuar!”
Top Channel