Presidenti iranian, Hassan Rohani ka premtuar se do të fuqizojë ushtrinë kombëtare, ndërsa ka prezantuar një avion të ri ushtarak të ndërtuar në Iran, në përgjigjja të rritjes së kërcënimit amerikan ndaj Teheranit.
Rohani ka pretenduar në një fjalim televiziv më 21 gusht se fuqia e ushtrisë së Republikës Islamike ka penguar Uashingtonin që të mos sulmojë shtetin.
“Armiku duhet të shohë se sa i kushtueshëm do të ishte pushtimi i Iranit”, ka thënë ai. “Pse SHBA-ja nuk na sulmon? Për shkak të fuqisë sonë, sepse i di pasojat”, është shprehur lideri iranian.
“Disa mendojnë se kur rrisim fuqinë ushtarake, ne kërkojmë luftë. Kjo në fakt është përpjekje për paqe, sepse ne nuk duam të ndodhë ndonjë luftë”, ka deklaruar Rohani.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka thënë në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, se Uashingtoni nuk po kërkon një konflikt ushtarak me Iranin, mirëpo do t’i bëjë “presion maksimal” këtij shteti përmes sanksioneve ekonomike, të cilat synojnë ta largojnë këtë vend nga konfliktet në Siri, Jemen dhe vende tjera të Lindjes së Mesme.
“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që kjo të zgjidhet në mënyrë paqësore, mirëpo ne jemi të përgatitur për çfarëdolloj gjëje që mund të planifikojë Irani”, ka thënë ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka rivendosur sanksione ekonomike mbi Iranin këtë muaj, pas tërheqjes nga pakti bërthamor i vitit 2015 që Teherani nënshkroi me fuqitë botërore. Sanksionet kanë kontribuuar ndërkohë në rënien e vlerës së valutës kombëtare të Iranit.
Top Channel