Yamaha pritej të ishte një pretendente serioze për titullin në klasin mbretëror të motorëve, por në fakt nuk fiton prej 21 garash. Statistikat negative dhe oshilacionet në pistë e kanë detyruar Valentino Rossin t’u bëjë presion drejtuesve për një motor më konkurrues.
Italiani, që është i fundit i ngjitur në shkallën më të lartë të podiumit me Yamahan, nuk e fshehu zhgënjimin dhe kërkoi rezultate.
“Mungon ende shumë kohë nga fundi i sezonit dhe është zhgënjyese që nuk po arrij të përmirësohem. Nuk jemi në maksimumin e fuqive tona dhe shpesh këtë sezon kam drejtuar mirë motorin, por nuk ia kam dalë. Me një prototip tjetër do të kisha pasur mundësinë që të fitoja garën në jo pak raste”, tha Valentino Rossi.
Apeli i “Doktorit” italian të pistave, në garat me motorë, është i qartë ndaj skuadrës japoneze.
“Për mua ka shumë rëndësi të kuptoj nëse Yamaha dëshiron të fitojë, por gjithashtu sesa do të sforcohet skuadra për të zgjidhur këtë situatë. Tani jam në vendin e dytë, kam një klasifikim të mirë, por do të jetë e vështirë ta mbaj deri në fund. Çfarë më vjen më tepër keq është se nuk jam aq i shpejtë sa të ushtroj presion ndaj Marquez”, tha piloti 39-vjeçar.
Top Channel