Ndërkohë që gjendja dhe mirëmbajtja e rrugëve është mjaft e keqe, problemet me tenderat e mirëmbajtjes janë raportuar nga vetë kompanitë garuese, ku vetëm për gushtin janë 8 procedura të ankimuara në Komisionin e Prokurimit Publik.

Top Channel ka raportuar gjatë gjithë vitit situatën e rëndë me rrugët, që nga autostrada Tiranë-Durrës, për të cilën u krye ndërhyrja në mënyrë pjesore, e deri tek akset nacionale të Dibrës, Fierit e Beratit, për të cilat kompanive private u janë dhënë fonde.

Kësaj radhe tenderat kishin si objekt kryesor mirëmbajtjen rutinë për dimrin, që përfshijnë pastrimin nga rrëshqitjet e dherave, dëbora apo mbushjen e gropave dhe ndërhyrjet emergjente, probleme këto që nuk gjejnë thuajse asnjëherë zgjidhje në Shqipëri, edhe pse paratë janë në dispozicion.

Ankimimi i tenderave nga kompanitë jo fituese është procedurë rutinë, thotë Ministria e Infrastrukturës, ndërkohë do të jetë Komisioni i Prokurimit Publik ai që do të vendosë nëse do t’i lërë në fuqi ose jo rezultatet. Gjithsesi për firmat jo fituese ka edhe një mundësi të fundit ankimimi, që është Gjykata Administrative.

Shqipëria ka rreth 4000 kilometra rrugë në listë për t’u mirëmbajtur, 1330 km prej të cilave mirëmbahen nga programi i Bankës Botërore, ndërsa rreth 2645 km rrugë mirëmbahen nga kontratat e drejtorive lokale sipas rajoneve përkatëse, të menaxhuara nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Top Channel