Kusturica s’i frikësohet Kievit, koncert në Krimenë e pushtuar nga Rusia

22/08/2018 16:30

Pavarësisht paralajmërimeve të Perëndimit dhe të Ukrainës se do të marrin masa kundër tij, regjisori dhe muzikanti i njohur Emir Kusturica njoftoi se ka ndërmend ta bëjë realitet ndalesën e tij të shumëpërfolur në Krime.

Kusturica, i lindur në Sarajevë në një familje serbe, do të interpretojë me orkestrën e tij në vendin e aneksuar nga Rusia, duke sfiduar kështu problemet që mund ta presin në të ardhmen, për shkak të një veprimi të tillë.

“Unë bëj gjithmonë atë që mendoj se është e drejtë”, ishte komenti i 63-vjeçarit. “Asgjë nuk arrin të më frikësojë”.

Organizatorët e koncertit citohet të kenë pohuar se artisti me famë botërore do të performojë në qytetin e Jaltës, në bregun jugor të Krimesë, për të promovuar albumin e ri të grupit të tij, “Corps Diplomatique”, i cili u publikua në muajin mars.

Ambasada ukrainase në Beograd e ka paralajmëruar edhe më parë Kusturicen mbi pasojat e një vizite të tillë, duke i dërguar një letër të hapur korrikun e vitit 2017, përmes së cilës i kujtonte se, për këdo që shkel ligjet vendase mbi territoret e pushtuara do të ketë penalitete.

Një prej tyre, siç sqarohej në atë letër, është ndalimi për të shkelur në tokën ukrainase për një periudhë 5-vjeçare. Kusturica e ka cilësuar në të kaluarën bashkimin e Krimesë me Rusinë si një proces natyral dhe organik, e u ka bërë thirrje qytetarëve të gadishullit ta zhvillojnë vendin e tyre si pjesë të Rusisë së madhe.

Si Kievi, edhe Perëndimi e konsiderojnë të paligjshëm referendumin e shkëputjes së Krimesë dhe aneksimin e saj e shohin praktikisht si pushtim nga ana e Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA