Fatkeqësitë në Itali po ndjekin njëra-tjetrën. Vendi ende nuk e ka marrë veten mirë nga tragjedia e Genovës, kur mbërriti lajmi i vdekjes së 10 ekskursionistëve në jug të Italisë, në Civita të Kozencës, të njohur si zonë arbëreshe.
Një vërshim i befasishëm uji, pasojë e shirave të rrëmbyer, i gjeti krejtësisht të papërgatitur ekskursionistët që po bënin një ngjitje në Parkun Kombëtar të Polinos.
“Përroi i fryrë nga ujërat e shiut i goditi njerëzit me forcë, duke i katapultuar në ajër si predha, e duke i marrë më pas me vete në luginë për 3 kilometra”, tha kreu i Mbrojtjes Civile, Carlo Tansi.
Gryka e ngushtë dhe e lartë e Raganellos, vendi ku ndodhi fatkeqësia, duket se ishte mbushur me ujë brenda një kohe shumë të shkurtër.
Zyrtarët flasin për 23 persona të shpëtuar e sqarojnë se, një vajzë 8-vjeçare e prekur nga hipotermia u dërgua në spital me helikopter.
Ministri italian i Mjedisit garantoi se ishte “99.9%” i sigurtë që nuk ka më asnjë të zhdukur. Edhe 3 persona të moshave rreth të 20-ave, të cilët nuk dihej ku ishin, janë gjetur shëndoshë e mirë. Njëri prej të lënduarve është një holandez, që ka thyer kockat e legenit.
Lexo edhe:
Itali, 10 ekskursionistë të vdekur, 3 të zhdukur
Në mesin e 10 viktimave, që të gjithë italianë, është edhe një studiuese nga Bergamo, Paola Romagnoli. E trishtuar është historia e 43-vjeçarit, Gianfranco Fumarola, i cili vdiq duke shpëtuar dy fëmijët e tij, 11 dhe 12 vjeç, që e shoqëronin të atin në këtë udhëtim.
Fumarola ndërroi jetë në spital për shkak të plagëve të marra. E shoqja, Cinzia, bashkë me djalin e vogël 4 vjeç kishte vendosur të mos merrte pjesë në ekskursion, që duhet të ishte në fakt një shëtitje e bukur në zonën e famshme për grykat dhe kanionet e saj.
Top Channel