Dy burime me njohuri mbi hetimin për mashtrim financiar, që po kryhet mbi ish-avokatin personal të presidentit Donald Trump, Michael Cohen, kanë thënë pak më herët për “Associated Press” se avokatët e tij mbrojtës janë në negociata me prokurorët për atë që, siç shkruajnë tashmë mediet amerikane, rezulton të jetë marrëveshje fajësie.
Ata thanë se ish-avokati mund të pranonte jo më vonë se pasditen e kësaj të marte, fajësinë në Gjykatën federale të Manhattanit, pas marrëveshjes që e detyron atë të bashkëpunojë me qeverinë.
Burimet folën në kushte anonimiteti për “AP”, për shkak se ata nuk ishin të autorizuar të diskutonin publikisht këtë çështje.
Cohen ka qenë prej kohësh avokati personal i Trumpit, deri para pak javë më parë. Ai është parë në orët e para të së martës të shkojë në zyrat e avokatëve të tij mbrojtës.
Prokurorët e kanë vënë nën hetim Cohenin për mashtrim të mundshëm rreth bizneseve të tij për muaj e muaj të tërë. FBI-ja bastisi dhomën e tij të hotelit, shtëpinë dhe zyrën më 9 prill të këtij viti, duke sekuestruar më shumë se 4 milionë dokumente e sende me vlerë hetimore.
Top Channel