Tirana është një ndër vendet ideale ku vlerat kulturore tradicionale janë ndërthurur me ato moderne. Kjo duket si në arkitekturën ku gërshetohet e reja me të vjetrën, ashtu dhe në kulturën dhe mentalitetin e qytetarit. Përveç historisë, e reja po zë vend përditë.
Në këto ditë të nxehta vere, temperaturat e larta të paradites e kanë lënë në qetësi këtë hapësirë të Tiranës. Shumë pak njerëz duken aty e më shumë syri të kap sinjalistikat, emrat e llojeve të bimëve, apo njerëzit që kujdesen për to. Jemi në Bulevardin e Ri.
Bulevardi verior i Tiranës është një strukturë publike urbane me gjatësi 1.600 metra. Në të shtrihen linjat e kalimit të trafikut, të ndara në 6 korsi. Po ashtu trotuaret, rrugët e kalimit të këmbësorëve, korsia e biçikletave, njëkohësisht edhe gjelbërimi në të dy pjesët anësore.
Pas një çlodhjeje në mesditë ia vlen një shëtitje vonë pasdite, 20 minuta para perëndimit të diellit, deri në errësim të plotë.
Ky mjedis i ri në Tiranë ka bërë që një pjesë e popullsisë, që dikur frekuentonte Liqenin e Tiranës apo Parkun Rinia, të zgjedhë këtë vend.
Ky projekt përfshin edhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor, i projektuar dhe ndërtuar në dy kate shërbimi në fillim të projektit. Po ashtu, të përfunduara janë edhe segmenti i parë dhe i dytë. Ndërsa është prezantuar projekti për Parkun Qendror të Bulevardit të Ri, si një nga pjesët më kreative të Tiranës.
Simbolika e transformimit të kryeqytetit në këtë Bulevard përfaqësohet nga një lokomotivë e vitit 1951.
Top Channel