Arrestimi i Mondi Begos, në Mavromati bashkë me familjen e një miku të tij

21/08/2018 15:05

Sqarimi i policisë shqiptare mbi çështjen e ndalimit nga policia greke në bazë të kërkesës së autoriteteve italiane të biznesmenit Edmond Bego, i njohur edhe me disa emra të tjerë, ka ngritur një sërë pikëpyetjesh të tjera si dhe ka nxjerrë në pah mosveprimin e institucioneve ligjzbatuese shqiptare.

Policia në sqarimin e saj deklaron se Edmond Bego, ka dalje dhe hyrje nga territori shqiptar nga vitet 2013 deri në vitin 2018, edhe drejt Italisë. Ai në territorin italian ka hyrë 3 herë në vitin 2017, si dhe në datë 13 korrik të këtij viti. Gjithashtu Bego në datë 8 gusht 2018 ka dalë nga pika kufitare e Qafë Botë drejt territorit grek, siç ka bërë edhe më herët në vitet 2014, 2015, 2016, 2017 dhe 2018, në disa raste në mënyrë të përsëritur dhe nuk është ndaluar.

Referuar këtij njoftimi, rezulton që ose biznesmeni Bego ka udhëtuar me emra të tjerë ose autoritetet italiane nuk e njohin vendimin shqiptar dhe kërkojnë ekstradimin e tij. Por fakti që Bego ka hyrje-dalje edhe në Itali, gjatë kohës që supozohej se duhej të ishte në kërkim, ka ngritur një dyshim tjetër që ndoshta ndaj Begos mund të ketë ndonjë çështje të re, që nuk ka lidhje me dënimin e marrë në vitin 2008 nga gjykata e Torinos. Ose ditet e fundit ka patur sinjalizim se Mondi Bega që ndodhej me pushime në Korfuz në fakt ishte Edmond Bego i dënuar në Itali. Faktin e ndryshimit të emrit e ka deklaruar zyrtarisht edhe policia greke në njoftimin e arrestimit të 48-vjeçarit.

Në fakt edhe në vitin 2009, kur Bego u arrestua në vendin tonë për llogari të vendimit të Gjykatës së Torinos, kërkesa e palës italiane ishte për ekstradim dhe jo njohje vendimi siç bënë gjykatat shqiptare. Sikur të mos mjaftonte ulja e dënimit nga 21 në 4 vjet e 4 muaj burgim, një vit pas njohjes së vendimit, gjykata e Krujës i ka dhënë dorën e fundit duke e liruar me kusht Edmond Begon dhe duke i falur 1 vit e 8 muaj burgim. Që nga ky moment, sipas policisë shqiptare Bego ka qenë një qytetar i lirë pa asnjë kërkesë ndërkombëtare për ndalimin e tij.

Por që në database-in e Interpolit në shtetin fqinj të Greqisë, ku dhe u arrestua Bego rezultonte me ngjyre të kuqe. Një tjetër fakt i dyshimtë është se për dy vite të procesit të njohjes së vendimit penal të Begos në Shqipëri, nga 2009 deri në nëntor të viti 2011, as policia dhe as prokuroria shqiptare nuk kanë nisur hetimin pasuror ndaj Begos, edhe pse ligji ia lejonte një gjë të tille. Madje edhe këto dite, prokuroria e Krimeve të Rënda e ka kompetencen për të nisur hetimin pasuror, por deri më tani nuk ka asnjë lajmërim që mund të ketë bërë një gjë të tille. Edmond Bego, tashme me emrin Mondi Bega ndodhet në qelitë e paraburgimit në ishullin e Korfuzit. Atje në ndihmë të tij kanë shkuar dy avokatë të cilët mësohet se kanë kërkuar ekstradim në Itali.

Top Channel ka mësuar se më 17 gusht Mondi Bega, një mik i tij në shoqërinë e familjeve të tyre u ndaluan në piken e kalimit kufitar të Mavromatit. Pas verifikimeve të gjithë personat e shoqëruar janë liruar përveç Edmond Begos që rezultoi në kërkim ndërkombëtar.

Top Channel