Tifozët e Tottenhamit, që numëronin ditët se kur do të hynin në stadiumin e ri të skuadrës së futbollit anglez, ndoshta do të duhet të presin vitin tjetër.

Problemet me sigurinë e impiantit, e sistemet që duket se nuk janë projektuar siç duhet, po vendosin në rrezik një projekt me një vlerë shumë të lartë, plot një miliard paund.

Skuadra londineze ka konfirmuar shtyrjen e hapjes së stadiumit të bukur për të paktën disa muaj, por të dhënat që vijnë nga kontraktuesit tregojnë se, data më e afërt dhe ajo më optimiste është në muajin shkurt të vitit që vjen.

“Ka disa çështje kritike që përfshijnë sistemet e sigurisë. Disa janë të papërfunduar dhe disa të tjerë mungojnë, por askush nuk e di se kur do të finalizohet projekti”, tha një burim pranë kompanisë ndërtuese.

Në qendër të shqetësimeve janë masat kundër zjarrit dhe daljet e evakuimit masiv.

Kostoja finale e të gjithë impiantit ka kaluar një miliard paund, por askush te Tottenham Hotspurs nuk di të thotë nëse kjo do të jetë fatura përfundimtare.

Skuadra nga Premier League shpresonte se do të hapte dyert e impiantit unik më 15 shtator, në ndeshjen kundër Liverpoolit, por stadiumi prej 62 mijë vendesh nuk do jetë gati këtë vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA