Dueli i peshave të rënda në arenën e Belfastit, këtë fundjavë, përfundoi në favor të Tyson Fury. Boksieri britanik ka mundur me vendim unanim të gjyqtarëve, italianin Francesco Pianeta, një ndeshje e bukur me 10 raunde e dominuar nga ish-kampioni i botës, që synon të rikthehet në majën e këtij sporti.
Fury i fitoi të dhjeta raundet, duke qenë më superior sesa rivali italian, e tashmë përpara për të është një sfidë më e madhe, ajo me Deontay Wilder, kampionin aktual të botës në kategorinë WBC.
Kush priste një “knock out” të italianit u zhgënjye, pasi Pianeta bëri një rezistencë të mirë deri në fund. Tyson Fury ishte disi larg formës së dikurshme, por e kontrolloi duelin dhe arriti ta mbajë larg rivalin e tij.
Për Tyson Fury, ky është suksesi i 27 në ring, në karrierën e tij si profesionist, ku nuk ka asnjë humbje dhe tashmë përgatitet për duelet më të mëdha të karrierës së tij. Në Belfast, për të parë duelin ishte edhe Deontay Wilder, që pas duelit u ngjit në ring dhe konfirmoi betejën mes tij dhe Fury.
Top Channel