OKB apel qeverisë braziliane: Lejoni Lula-n të garojë në zgjedhje

18/08/2018 08:18

Një panel ekspertësh të pavarur në Komitetin e të Drejtave të Njeriut, pranë Kombeve të Bashkuara, tha se kishte kërkuar që qeveria braziliane të lejonte ish-presidentin e burgosur, Luiz Inacio Lula da Silva, të ushtronte të drejtat e tij politike si kandidat presidencial.

Lula është kandidati presidencial për Partinë e tij të Punëtorëve (PT) dhe udhëheq anketat përpara zgjedhjeve të tetorit, por pritet të ndalohet nga garimi prej njw gjykate zgjedhore në Brazil, pasi u burgos në prill me akuzat për korrupsion.

Komiteti, i cili mbikëqyr pajtimin e vendeve me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, tha në një deklaratë me email se i kërkoi qeverisë së Brazilit “të mos e pengonte Lula-n të merrte pjesë në garën për zgjedhjet presidenciale të 2018-ës”.

Deklarata shtoi se qeveria braziliane duhet të sigurojë “se Lula mund të gëzojë dhe të ushtrojë të drejtat e tij politike gjatë kohës që është në burg, si kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018”.

“Kjo përfshin edhe qasjen e duhur në media dhe anëtarët e partisë së tij politike”, tha komiteti pranë OKB-së.

Sipas ligjit brazilian, Lula-s i lejohet qasje e lirë tek avokatët e tij, të cilët përfshijnë disa figura të PT-së dhe vizita javore familjare. Ai lejohet të komunikojë me shkrim, por prokurorët federalë thonë se atij nuk u lejohet të bëjë video ose regjistrime audio.

Ekipi ligjor i Lulas tha në një deklaratë me shkrim se ata interpretojnë vendimin e komitetit, duke thënë se “asnjë entitet i qeverisë braziliane nuk mund të paraqesë ndonjë pengesë ndaj aftësisë së ish-presidentit Lula për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale të 2018, derisa çështja e tij vijon të jetë ende në gjykim.

Gjykata e Lartë Zgjedhore e Brazilit pritet të deklarojë Lulan të papërshtatshëm në javët e ardhshme, përpara votimit të 7 tetorit, nën një ligj të “Clean Slate”, i cili ndalon politikanët që të kërkojnë zyrën publike nëse ata janë dënuar për një krim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA