Elita e futbollit shqiptar do të nisë mbrëmjen e sotme një paradë të gjatë 10 mujore në të cilën do të sfilojnë me radhë 10 skuadrat e Kategorisë Superiore, me objektiva të ndryshëm, organikë që do t’i distancojë nga pretendimet për titull apo për qëndrimin.
Skënderbeu-Partizani është antipasta e garës emocionuese që do të ndezë që në start rivalitein.
Përballen dy skuadra që synojnë fronin e futbollit shqiptar por nëse Skënderbeu që ka vendosur hegjemoninë në vitet e fundit është goditur disi nga largimet dhe dënimi i UEFA-s, Demat e Kuq vazhdojnë të kenë oshilacione, që i kanë mohuar sprintin final për titullin. 3 vite më parë të kuqtë humbnin titullin vetëm në javën e fundit, vetëm një nga episodet që kanë ndezur rivalitein mes ekipeve, dhe janë përçuar në çdo sezon nga ultrasit.
Por nuk janë vetëm skuadrat që imponohen sot në mbrëmje në Korçë, ato që luftojnë për titullin. Kukësi i trajnerit Armando Cungu i eliminuar në mënyrë disi të padrejtë nga Europa League, rikthen vëmendjen në objektivin kryesor për të cilin shpenzohen çdo vit miliona. Flamurtari mund të cilësohet pa frikë një pretendent tjetër serioz për shkak të merkatos fantastike dhe emërimit të ilir Dajës në pankinë.
Nëse koktejlit për titullin i shtojmë edhe Tiranën që e ka detyrim në çdo vit, trofeun e më së mirës, atëherë plotësohet një panoramë që të paktën në letër, rezervon 5 ekipe pretendente. Ashtu si çdo sezon, maratona e transmetimeve në Supersport, me mijëra njerëz që nëse nuk do të zgjedhin stadiumet, do të kenë një alternativë komode, nga ekrani i vogël.
Top Channel