“Smartphone”-i më i ri i Motorolës është kritikuar shumë, pasi ngjason sipas ekspertëve me një kopje të pacipë të iPhone X.

Shumë prodhues telefonësh kanë kopjuar pamjen e iPhone X, që ka një kornizë më të vogël përreth ekranit dhe një vrimëz në krye, ku gjendet edhe një kamera.

Sidoqoftë, kritikët thonë se Motorola e re P30 është një kopje e pastër e aparatit më të rëndësishëm të Apple.

Lenovo, që zotëron markën Motorola, nuk iu është përgjigjur ende kritikave. Motorola ka qenë një pionier në industrinë e telefonëve celularë, por shitjet e saj ranë në erën e “smartphone”-ve dhe divizioni iu shit Google-it në vitin 2012, për të kaluar më pas në pronësinë e firmës kineze të kompjuterëve Lenovo në 2014-n, ku vazhdojnë të prodhojnë “smartphone” me sistemin operativ Android.

Blogerët, që komentojnë ngjashmërinë mes Motorola P30 dhe iPhone X thonë se kjo është përpjekja më e pacipë. Madje, sipas vëzhguesve, Motorola ka shkuar aq larg sa ka zbukuruar ekranin me një ëallpaper thuajse identike me atë të Apple-it.

Ka nga ata që thonë gjithashtu se dizajni është aq i ngjashëm, saqë thuajse është e pamundur të dallosh Motorolën nga iPhone X. Më tej është provuar se, edhe algorithmet e njohjes së imazhit të Google e kanë etiketuar P30 si iPhone.

Sidoqoftë, Lenovo ka thënë se ka regjistruar fitime për katërmujorin e parë të vitit, pasi shënoi humbje një vit më parë. Rritja i atribuohet rritjes së shitjeve, por edhe masave për uljen e kostos nga ana e kompanisë. Lenovo planifikon të shesë Motorolën P30 në Kinë, por nuk ka njoftuar për shitjen në tregje të tjera. Aparati pritet të kushtojë rreth 350 dollarë amerikanë, më pak se gjysma e çmimit të iPhone X.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA