Një gomone e deklaruar e vjedhur në ishullin Paxos të Greqisë, natën mes 13 dhe 14 gushtit, është gjetur e braktisur në lumin Bistricë.

Sipas Policisë së Sarandës, mjeti lundrues ishte vjedhur nga persona ende të panjohur, e ka mundur të mbërrijë deri në hapësirën detare shqiptare një natë më parë.

Vlen të përmendet se autorët e kanë ngritur mjetin lundrues në kaskadën e lumit Bistricë, gati 2.5 metra e lartë, mes rrymave të ftohta të lumit, duke kaluar në një rrugë tepër të vështirë dhe të rrezikshme.

Pasi ka kaluar këtë pengesë, gomonia me fuqinë e saj motorike ka arritur gati dy kilometra në brendësi të lumit, shumë pranë fshatit Çukë.

Mjeti lundrues është pikasur prej “bluve” të Sarandës gjatë orëve të para të mëngjesit, e është vënë nën vëzhgim. Por, askush prej personave që e kanë braktisur atë nuk është afruar deri në mesditë.

Prej verifikimeve rezultoi se gomones i është hequr motori, e në vazhdim është braktisur në rrjedhën e sipërme të lumit.

Hetimet vazhdojnë, ndërkohë që pronari i mjetit, një shtetas italian kishte njoftuar nëpërmjet rrrjeteve sociale se ka vënë në dispozicion një shumë prej 2.000 eurosh për gjetjen e gomones dhe 3.000 euro për gjetjen e personit që e ka grabitur atë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel