Suksesi në Superkupën e Shqipërisë ishte nisja e duhur e sezonit, por për trajnerin Orges Shehi, kampionati është tjetër gjë. Skënderbeu përgatitet këtë të premte për premierën e Superiores, dhe do të ketë thuajse të njëjtin formacion me atë që triumfoi ndaj Laçit dhe që i dha trofeun.
“Formacionin ende nuk e kemi zbardhur, por sigurisht që do të bazohemi tek lojtarët që luajtën para një jave. Është një përballje mes rivalëve, që e luajmë në shtëpinë tonë përballë tifozëve tanë dhe e kemi detyrim që ta fitojmë”, tha trajneri i korçarëve.
Përballen në javën e parë dy pretendentë për titullin, një situatë jo shumë e mirë për të nisur fushatën, që si te Ujqërit, ashtu edhe te formacioni kryeqytetas, shpresojnë se do t’i kurorëzojë në maj me fronin e futbollit shqiptar.
“E kemi patur mendjen të kampionati, por kemi vëzhguar me kujdes edhe disa prurje të reja, për të cilat do të vendosim shumë shpejt. Pikat e forta të Skënderbeut i shoh kudo, por le t’ia lëmë kohës për t’i treguar. Gjithsesi mund të veçoj mentalitetin e të punuarit, të qenit grup dhe faktit që kemi lojtarëve përvojë që edhe pse kanë fituar shumë trofe, kanë ende shumë uri për të fituar”, deklaroi tekniku i korçarëve.
Skënderbeu pret Partizanin në stadiumin e Korçës të premten në orën 19:45, ndeshja e parë e Kategorisë Superiore në javën e parë, që do të pasohet nga dy ndeshje të shtunën dhe dy të dielën.
Top Channel