Igli Allmuça: Dinamo këtë vit gjithçka për t’u ringritur

16/08/2018 17:38

“Nëndetësja” prej 6 vitesh endet pa busull në “ujërat e errëta” të Kategorisë së Parë, por ndoshta ky “ferr” nuk do të zgjasë më gjatë. Dinamo ka nisur një projekt ku ndërthuren lojtarë të rinj dhe mjaft të talentuar me disa futbollistë të pasur me përvojë, me synimin e vetëm për ta rikthyer këtë emër legjendar aty ku i takon, mes ekipeve më të mira të kampionatit shqiptar.

Përgatitjet kanë nisur dhe besimi është i plotë si te drejtuesit dhe te trajneri Igli Allmuça, i cili, megjithëse qëndron me këmbë në tokë, kësaj herë më shumë se në çdo rast tjetër sheh me optimizëm objektivin superior.

“Jemi mësuar në këtë kategori dhe mund t’ju them se ndryshe nga ç’duket, është shumë më e vështirë. Kemi bërë një hap cilësor dhe mendoj se jemi gati për të tentuar diçka të madhe”, ka deklaruar ai për Supersport.

Allmuça, i cili në karrierën e tij si futbollist është shpallur kampion me Dinamon e Tiranën, vlerëson përpjekjet e të gjithë futbollistëve të tij në këtë periudhë përgatitore.

Një nga emrat “big” të kësaj Dinamoje është Jetmir Sefa. Mesfushori, pas një përvoje në Kosovë, vendosi t’i bashkohej projektit me besim të plotë që kjo skuadër e ka potencialin për t’u ngjitur në maja.

“Ekipi ka djem shumë të rinj, por me pretendime. Shpresoj që të vijnë lojtarë me më shumë përvojë, që të arrijmë majat”, thotë ai.

Mosha mesatare e bluve është 22-vjeç, çka tregon se freskia e futbollistëve të rinj do të jetë arma e Dinamos. Një ndër ta është pa diskutim mesfushori Rei Nuriu. Megjithëse është vetëm 19 vjeç, ai e ka të qartë se cila është rruga për ta ringjitur në sipërfaqe “nëndetësen”.

“Është privilegj të jesh pjesë e Dinamos. Po punojmë shumë për objektivin tonë, që është vetëm ngjitja në Superiore”, u shpreh Rei Nuriu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA