Atje ku rrugët nuk kanë emër, turistët hasin vështirësi për t’u orientuar. Transporti urban, i çrregullt

16/08/2018 15:05

“Jo, nuk është këtu?”. Turistët spanjollë Xavier, Mariana dhe Iban donin të shkonin në Shkodër. Njerëzit që pyetën i drejtuan në Terminalin e Autobusëve Ndërqytetas të zonës së jugut, në sheshin “Shqiponja” të Tiranës.

Janë në stacionin e gabuar! Duke qenë se s’ka tabela orientuese, kamera e TCH i ndihmoi ata.

Gjatë rrugës për në Terminalin e Autobusëve të veriut, në “Zogun e Zi”, të rinjtë na treguan se në një vend të vogël si Tirana, nuk e mendonin kurrë se me të pyetur do të ngatërroheshin.

“Ne duam të shikojmë Tiranën paksa, në fillim, tani që e gjetëm stacionin e duhur. Do të kthehemi këtu pas 4 orësh, për të kapur autobusin e fundit. Faleminderit shumë për ndihmën tuaj. Faleminderit”, tha Xavier Quesada, turist spanjoll.

Të tjerë turistë na treguan mënyrat sesi ia dalin të orientohen gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.

“Ne nuk pamë këtu asnjë sinjalistikë orientuese. Nuk e di, mendoj se me një hartë mund t’ia dalësh”, tha një turiste.

“Në Vjenë është shumë e lehtë të orientohesh, sepse ka metro dhe në çdo stacion metroje ka tabela orientuese për të gjithë qytetin. Ndaj është shumë e thjeshtë. Ndërsa këtu e shoh pak të vështirë orientimin. Por, nëse ke një hartë dhe njerëz që të ndihmojnë kur i pyet, orientohesh”, tha një turist.

Mungesa e tabelave orientuese ua vështirëson lëvizjen në kryeqytet, por jo vetëm, edhe shqiptarëve të cilët vijnë nga rrethet, apo emigrantëve.

“Këtej s’di nga të shkosh, s’ka një tabelë që të thotë ‘ik këtej apo andej’, si në të gjithë botën”, tha një qytetar.

“Nuk ka asnjë lidhje me Athinën, mua më dhemb për vendin tim. Konkretisht, vetëm duke marrë në telefon ndonjë shok, sepse unë jam komplet i dalë nga orbita për Tiranën”, tha një emigrant.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA