Te Manchester City ka shpërthyer një skandal racizmi. Sipas tabloidit “Daily Mirror”, drejtuesit e klubit kampion të Anglisë kanë hapur hetime për një prej trajnerëve të skuadrave zinxhirë të “Citizens”, Dean Ramsdale, që akuzohet se ka përdorur terma diskriminuese për një prej futbollistëve.
Gjithnjë sipas “Daily Mirror”, Ramsdale ka përdorur fjalët “I madh, i zi dhe i shpejtë” për futbollistin në fjalë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
E gjithë kjo histori ka ndodhur në muajin janar, gjatë një takimi mes Ramsdale, që drejton edhe grupin e zbulimit të talenteve të reja, si dhe trajnerëve të tjerë të ekipeve të të rinjve të Manchester Cityt.
Mësohet se, shprehja e përdorur nga Ramsdale nuk është pëlqyer aspak nga një prej personave të pranishëm, që nuk ngurroi të dërgojë në zyrat e drejtuesve të Manchester City një letër ankese.
Klubi anglez pranoi se gjuha e përdorur nga Ramsdale ishte e papërshtatshme, duke ia bërë të qartë se është e ndaluar në mënyrë kategorike te “Citizens”.
Top Channel