Askush nuk e di sekretin tim të tmerrshem ndaj rrëmujës. Nuk i tregoj asnjeriu, sepse nuk dua të bëhem merak. Ky është mesazhi që vjen nga Portugalia, një nga 300 mesazhet që artistja nga Kili, Maria e sjell për publikun shqiptar në datat 15 dhe 16 gusht në instalacionin “Reja”.
Maria ka studiuar regji filmi në Kili, vendin e saj të lindjes, por “Sekreti” është një projekt që e ka përfshirë prej 10 vitesh, një instalacion që udhëton nëpër shumë vende të botës. Në kryeqytetin shqiptar, ajo sjell 300 nga 3.000 sekretet e mbledhura në botë.
“Ai kishte mbajtur një sekret përgjatë të gjithë jetës së tij. Një sekret për të cilin as mamaja ime nuk ishte në dijeni, ndaj nisa të punoj për këtë instalacion. Në thelb desha të kuptoj se, përse babai im e ruajti kaq gjatë një sekret. E di që e ka lënduar shumë kjo gjë, ndaj doja ta zbuloja përmes eksperiencës artistike”, tha Maria P. Vila, artiste.
Sekretet, artistja nga Kili do t’i përmbledhë në një libër, si ftesë ndaj psikologëve e sociologëve që të studiojnë se çfarë na ndan dhe bashkon me kulturat e ndryshme nëpër botë.
“Çfarë është një sekret në Kili, nuk është në Nju Jork. Në Kili, nëse je homoseksual duhet ta mbash sekret, të fshihesh, sepse shoqëria nuk të lejon ta shfaqësh këtë. Në Nju Jork, njerëzit nuk i fshehin këto gjëra”, tha më tej ajo.
Pasditen e 15 dhe 16 gushtit, Maria do të presë publikun shqiptar në të vetmen re “me këmbë në tokë”, në instalacionin “Reja”, për të ndarë me të sekretet që ju mundojnë. Nëse doni që të lexoni një sekret, atëherë duhet të lini një të tillë, për ta çuar sekretin tuaj të udhëtojë, diku nëpër botë, së bashku me Marian.
Top Channel