Dy ushtarakët grekë, të arrestuar në fillim të marsit pasi kishin hyrë disa metra brenda kufirit turk, janë kthyer në atdhe me avionin e kryeministrit Alexis Tsipras, tashmë të lirë pas 167 ditësh në burgun e Edirnesë në Turqi.
Ata janë pritur në Aeroportin e Selanikut rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës, nga ministri i Mbrojtjes Panos Kammenos dhe nga familjarët e tyre, ndërsa i jashtëzakonshëm ka qenë interesi i medieve vendase dhe atyre të huaja.
Dy ushtarakët janë liruar pasi kanë dalë për herë të 6 para prokurorit turk në Edirne, e me anë të avokatëve të tyre kanë ripërsëritur se hyjra e tyre në tokën turke ishte bërë për shkak se ata kishin ngatërruar rrugën.
Lexo edhe:
Akuzoheshin për spiunazh, gjykata turke liron dy ushtarët grekë
Lirimi i tyre vlerësohet se ka ardhur si rezultat i përpjekjeve diplomatike të bëra nga ana e Athinës dhe ministrit të Jashtëm, Nikos Kotzias, në bashkëpunim me partnerët perëndimorë.
“Ky zhvillim hap perspektiva të reja për forcimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit në rajon”, ka deklaruar zv.ministri i Jashtëm grek, Georgios Katrougalos.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Panos Kammenos, i cili pak ditë më parë akuzoi presidentin Erdogan se kishte organizuar rrëmbimin e dy ushtarakëve grekë, ka thënë se dy vendet mund të jetojnë bashkë në mënyrë paqësore dhe të ndërtojnë të ardhmen duke respektuar të drejtën ndërkombëtare.
Lexo edhe:
Kammenos sulmon Erdoganin: Urdhëroi arrestimin e dy ushtarëve grekë
“Në emër të kryeministrit, qeverisë dhe popullit grek i mirëpresim ushtarakët tanë në atdhe dhe shpresoj se lirimi i tyre do ta bëjë ditën e sotme të festës një ditë të shënuar për marrëdhëniet greko-turke”, tha Panos Kammenos, ministër i Mbrojtjes.
Udhëheqja politike turke, shpeshherë kohët e fundit kishte aluduar se do të mund të shkëmbente dy oficerët grekë me 8 ushtarakët turq, që u arratisën pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit.
Ndërkohë, Ankarasë i është bërë presion nga BE-ja e Parlamenti Europian, ndërsa edhe vet kryeministri Tsipras i ka kërkuar presidentit Erdogan lirimin e tyre, në takimin që pati me të në samitin e fundit të NATO-s.
Në analizat e para vlerësohet se, me këtë veprim, Ankaraja kërkon të rivendosë urat me BE-në, në një përpjekje për të gjetur mbështetje ndaj luftës ekonomike, siç thekson qeveria turke, që kanë hapur ndaj saj Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel