Producenti i festivalit muktikulturor “Balkan Trafik” që mbahet në Belgjikë po përzgjedh në Shqipëri përfaqësuesit për edicionin e 13.
Nicolas Wiewers shprehet se qëllimi është njohja e njerëzve të Europës Juglindore përmes kulturës: “Dëgjon shpesh të flitet për trafik, trafik armësh, droge apo njerëzish. Ky është një trafik kulturor, një formë tjetër e njohjes përmes kulturës, botës shpirtërore dhe emocioneve. Edicioni i 13 i “Balkan Trafik” në Bruksel do të ketë edhe grupe nga Shqipëria e Kosova. Unë vij çdo vit këtu për të dëgjuar grupe, për të parë vetë se si kultura është kaq e larmishme e sigurisht për të dëgjuar polifoninë e isopolifoninë”.
Producenti tregon përshtypjet e udhëtimit në jug të Shqipërisë, ku çdo 20 km ndryshojnë zërat, kostumet dhe ritmi.
“Larmia nuk është e vetjma vlerë që duam të çojmë në “Balkan Trafik”. Perceptimi për këtë vend duhet të ndryshojë dhe bashkëqytetarët e mi të parët duhet të kuptojnë se si në këtë vend bashkëjetojnë shumë pranë njëra-tjerës shumë kultura, disa etni dhe disa fe të ndryshme. Unë jam i befasuar dhe dua të ftoj të bëhen pjesë e festivalit edhe njerëzit e thjeshtë, banorët e fshatrave mes maleve. Unë pashë këtu grupet e Lunxhërisë së Dropullit, një grup tjetër mes maleve që nuk po e kujtoj dot me emër dhe takova banorët e Labovës së Kryqit. Të gjithë ishin asete të çmuara të kulturës së vjetër të këtij vendi”, shprehet Nicolas Wiewers.
“Balkan Trafik” organizohet çdo vit në muajin prill në Belgjikë dhe është një ngjarje kulturore ku Shqipëria merr pjesë prej disa vjetësh.
Top Channel