E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Europian, ndaj sipas ish-ministrit të Jashtëm, Tritan Shehu, tezat për korrigjim apo ndryshim kufijsh nuk flasin për të ardhmen, por për të shkuarën.
“Ne jemi për t’i zhvleftësuar kufijtë në rajon në këto momente, duke implementuar ligjet e rregullat e BE-së. Nesër do t’i zhdukim kufijtë duke qenë të gjithë në BE”, tha Shehu.
Teza e Thaçit, e cila gjithsesi nënkupton ndryshimin e hartës së shtetit të Pavarur të Kosovës, do të ishte kundërvënie ndaj partnerëve europianë e amerikanë, që u investuan për këtë shtet.
“Kjo do të thotë që të transmetosh mesazhin që ‘Ju e keni bërë gabim’, e tani duhet hapur sërish kutia. Hapja e kutisë është shumë e gjerë, asnjë nuk e di sesi do të shkojë dhe ku do të çojë. Në qoftë se dikush mendon që Serbia është bërë një ‘qingj i butë’, që mund të japë çdo gjë, gabon rëndë. Pas Serbisë fshihen të tjera fuqi të interesuara të vonojnë procesin e integrimit të Ballkanit në BE, apo të rikrijojnë reminishencat e tyre të vjetra”, tha më tej Shehu.
Rusia dhe Turqia, sipas ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, po shtojnë ndikimin në Ballkan, që nuk është më në vëmendjen e BE-së apo SHBA-ve si më parë, kur Shqipëria u anëtarësua në NATO apo Kosova fitoi Pavarësinë.
“Do të thosha që shqiptarët janë sot në një situatë më të rrezikshme të mundshme, që kanë qenë ndonjëherë në historinë e pas viteve ’90, apo pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës”, tha Mediu.
Skepticizmi i Europës ndaj rajonit dhe përqëndrimi i Amerikës në politikën e brendshme apo atë globale dhe çështjet e sigurisë, dikton shqiptarët të përcjellin një mesazh unik.
“Çdo negociatë duhet bërë e mirorganizuar, që duhet të fillojë me një hap të parë: njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Pastaj duhen diskutuar të gjithë elementët e tjerë, pra ulja si të barabartë në tryezë”, tha më tej Mediu.
Top Channel