Tensioni në marrëdhëniet greko-ruse vazhdon të rritet edhe më tepër. Ministria e Jashtme në Athinë, në një njoftim të fundit akuzon me tone veçanërisht të ashpra Rusinë se, po bëhet aleate e Turqisë kundër Perëndimit dhe Greqisë.

Në deklaratë karakterizohet gjithashtu dëbimi i diplomatëve grekë nga Moska, si një hakmarrje pa prova.

Athina zyrtare, e cila ishte e para që dëboi para disa ditësh diplomatët rusë, me akuzën se u përpoqën të minonin marrëveshjen e Athinës me Shkupin për emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, i kërkon tashmë Moskës respekt dhe marrëdhënie të barabarta.

Ajo thekson gjithashtu se Rusia duket se është larguar nga marrëdhëniet miqësore dhe të bashkëpunimit me Greqinë në 190 vitet e fundit, duke u bërë “shok armësh” i Turqisë e duke e lehtësuar atë në maksimum në sektorin e sigurisë.

“Greqia është një vend paqësor, me një politikë të jashtme shumëpërmasore dhe të pavarur demokratike”, thuhet në deklaratën e re të Ministrisë së Jashtme greke, që thekson më tej se “Greqia, si një shtet sovran me një histori mijëravjeçare kërkon një politikë miqësore me Rusinë e madhe, por duke i kujtuar asaj se asnjë vend në botë nuk do të toleronte përpjekjet për blerjen e zyrtarëve qeveritarë, minimit të politikës së jashtme, apo ndërhyrjeve në çështjet e brendshme të vendit”.

Athina ripërsërit se mori masa ndaj diplomatëve rusë, vetëm pasi siguroi prova që bien në kundërshtim me interesat kombëtare të saj, duke zbuluar se një pakicë rusësh brenda territorit të Greqisë janë sjellë duke mos respektuar ligjet dhe rregullat e shtetit grek.

Ndërkohë, opozita greke, e cila ka kërkuar informacion në Parlament, në një deklaratë të fundit i bën thirrje qeverisë “Tsipras” të ruajë marrëdhëniet miqësore tradicionale me Rusinë, gjithnjë në kuadër të respektimit të parimeve të diplomacisë. Por, edhe ajo ka kritikuar referimin e fundit të kryeministrit rus, që e ka quajtur pjesën e Qipros së pushtuar si Republika turke e Qipros së Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA