Është çelur në Durrës edicioni i tretë i panairit ndërkombëtar të librit shqip “Durrës Script”. Si çdo vit, organizatorët kanë zgjedhur sërish muajin gusht, pikun e sezonit turistik për ta sjellë librin shqip më pranë pushuesve të shumtë dhe qytetarëve durrsakë.
Në këtë edicion të tretë, panairi ka zgjuar interesin e mjaft shtëpive botuese që e vlerësojnë si një mundësi për të ofruar botimet e tyre për lexuesit durrsakë, pushuesit nga trevat e ndryshme shqiptare, por edhe turistëve të huaj që mund të marrin nga Shqipëria një kujtim të vyer të fiksuar në një nga gjuhët më të vjetra dhe të veçanta të botës.
Në stendat e këtij panairi përfaqësohen mbi 65 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, Italia, Anglia dhe risi për këtë vit është ardhja e përfaqësuesve të shtëpive botuese nga SHBA.
Të gjithë përfaqësues nga trevat e vendet ku jetojnë shqiptarë dhe ku shkruhet, kultivohet e botohet fjala shqipe. Rreth 60 mijë tituj librash janë të pranishëm nëpër stenda, nga të cilat 550 janë tituj të rinj, që prezantohen për herë të parë në këtë panair.
Kjo ngjarje kulturore për qytetin bregdetar po zhvillohet në shëtitoren bregdetare ”Taulantia” organizohet nga shoqata kulturore “Durana” dhe Bashkia e Durrësit dhe do të zgjasë deri në 12 gusht.
Top Channel