Ndërkombëtarët nuk binden nga vendimet KPK, rekomandojnë apelim për dy raste të tjera

09/08/2018 14:22

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) sërish nuk është bindur nga vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe ka rekomanduar apelim të tyre për dy raste të tjera.

Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës Administrative në Tiranë, Gentian Medja, i cili është kandidat për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, dhe u konfirmua në detyrë më datën 1 Gusht nga ana e KPK-së. ONM-ja u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të apeluar vendimin për Medjan, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Gjithashtu, rekomandim për apelim, ONM-ja ka bërë edhe për vendimin e KPK-së më datë 2 Gusht, për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, njëherazi kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, zotin Gentian Osmani.

Komisionerët Publikë kanë njoftuar se janë në pritje të marrin në dorëzim vendimet me shkrim nga ana e KPK-së, për t’i shqyrtuar dhe për të vendosur nëse do të kalojnë për apelim, apo do të mbeten në fuqi.

Rastet e sotme, çojnë në tre numrin e vendimeve të KPK-së, për të cilët ndërkombëtarët kërkojnë apelim, pas atij të pak ditëve më parë, për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Ky i fundit kaloi me sukses vettingun, por duket se ndërkombëtarët nuk u bindën me vendimin dhe u rekomanduan Komisionerëve Publikë të apelojnë këtë vendim.

Top Channel