Rasti i gjyqtares së Vlorës, Lamallari: Organet përkatëse të reagojnë

08/08/2018 13:19

Pas ministrisë së Drejtësisë, ka reaguar për vendimin e gjyqtares së Vlorës edhe ministria e Brendshme, përmes zv. ministrit Besfort Lamallari.

“Sot është sjellë në vëmendjen e medias vendimi i gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë. Ky vendim, në kufijtë e absurdit, ka vënë në pikëpyetje gjithë luftën dhe sakrificën e bërë deri më tani. Duke pasur besimin se vendimet e gjykatave nuk janë pronë apo interes vetëm i gjyqtarit që jep vendimin, gjejmë rastin të denoncojmë me forcë dhe publikisht historikun e një të personi të arrestuar 2 herë brenda pak muajve për vepra të rënda penale dhe i lënë më pas në masën “Arrest shtëpie”, megjithëse herën e dytë kishte thyer këtë masë dhe u kap me armë në makinë”, tha Lamallari.

Ai dha të dhëna mbi ngjarjen: Më datë 27.02.2017, shërbimet policore të DVP Vlorë, kanë bërë arrestimin në flagrance të shtetasit Tauland Manaj (Taulant Beqiraj), 28 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve luftarake dhe municionit”. Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me Vendimin Nr. 61 datë 02.03.2018 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest ne burg”, për shtetasin Taulant Manaj. Me Vendimin Nr.979 datë 28.03.2018, Gjykata e Apelit Vlorë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest ne burg”, ne masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi “ për shtetasin Taulant Manaj. Më datë 23.06.2018, u be arrestimi ne flagrance i shtetasit, Taulant Manaj (Beqiraj) i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armeve, armeve shpërthyese dhe i municioneve “ dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikeve “. Me Vendim Nr. 1416 date 06.08.2018, Gjykata e Shkalles së Parë Vlorë, ka vendosur zëvendësimin e masës se sigurimit personal “ Arrest në burg” me masën e sigurisë “ Arrest në shtëpi”, për një person përsëritës dhe të njohur për rrezikshmërinë kriminale në qytetin e Vlorës.

Lamallari thotë se ky rast nuk është i vetëm, pasi ministria e Brendshme dhe policia kanë bërë publike vendime gjykatash në kundërshtim të hapur me ligjin.

“Në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit apelon institucionet përkatëse, si dhe organin e akuzës, të reagojë për të ndërtuar kulturën e barazisë para ligjit, ndëshkimin e ashpër ndaj çdo personi të përfshirë në veprimtari kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe sidomos ndaj përsëritësve në krim dhe atyre që janë pjesë e grupeve të strukturuara kriminale”, tha Lamallari.

Top Channel