Piktori i fantazisë jeton në Bruksel, sjell ekspozitën në Tiranë

06/08/2018 20:29

Ai mund të quhet fare mirë piktori i fantazisë, sepse pikturat e tij të bëjnë të udhëtosh me forcën e mendjes nga njëri cep i imagjinatës në tjetrin. E ka quajtur “Habitat” ekspozitën me punët e tij më të reja, pasi për Dastid Milukën, njerëzit janë hapësira të gjalla, gjithnjë në lëvizje.

“Frymëzohem gjithmonë nga personazhe reale, por merren dhe përpunohen sipas fantazisë dhe sipas mënyrës sime personale të të sjellit figurativisht të personazheve, natyrës, apo gjithçkaje që ka lidhje me atë që na rrethon”, thotë Dastid Miluka, piktor.

Ndonëse prej kohësh i vendosur në Bruksel, Dastid Miluka iu dorëzohet ngjyrave shqiptare, të cilat kanë pushtuar tablotë e tij.

“Unë mendoj që ngjyrat vijnë pikërisht nga Shqipëria, si vend mesdhetar. Është vend i ngrohtë, ngjyrat janë fantastike në Shqipëri, e ndoshta ka qenë ardhja ime në Belgjikë, ku moti është pak gri, që ngjyrat të dalin më në pah”, shpjegon më tej piktori.

Në ekspozitën e çelur në një ambient pranë zonës “Don Bosko”, Dastidi ekspozon për publikun ylberin e tij të ngjyrave gjatë të gjithë muajit gusht.

“Femrat, peizazhet, çdo gjë që është e bukur. E bukura është ajo që më frymëzon, është ajo që mundohem të gjej kudo te njerëzit, te ngjyra, te muzika, letërsia, gjithçka që na rrethon mundohem që të marr pjesën më të bukur të jetës”, u shpreh Dastid Miluka.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA